40 pako kokainë në konteinerin me mish pule/ Policia nxjerr detaje nga operacioni në Portin në Durrës

0

Një sasi e konsiderueshme kokaine është kapur mbrëmjen e sotme në Portin e Durrësit.

Sipas informacioneve të para, mësohet se kokaina ka qenë e fshehur në një konteiner me mish pule që vinte nga Brazili.

Në total janë gjetur rreth 40 pako me nga 1.5 kilogram, pra rreth 60 kilogram kokainë, që është zbuluar gjatë momentit kur konteineri ka kaluar në skaner.

Mësohet se konteineri ishte porositur nga një biznesmen nga Kosova dhe kishte për destinacion Maqedoninë e Veriut.

 

Postimi i plotë i Policisë së Shtetit

Port, Durrës – Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit, evidentojnë dhe godasin një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Finalizohet një tjetër operacion policor antidrogë, i koduar “Tranziti”.

Operacioni, nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit.

Sekuestrohen 45 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu