Agjencia Rajonale e Mjedisit spostohet në Berat, Elbasani harrohet si vatër ndotjeje

0

24.02.2021

Institucionet mjedisore vazhdojnë të jenë në ristrukturim ndërsa hapësirat për abuzime dhe shtrimin e ndotjes mjedisore sa vijnë e shtohen për qarkun e Elbasanit. Zona më e nxehtë mbetet ajo e ish-metalurgjikut kur vetë drejtuesit e mjedisit pranojnë se situata është me luhatje për shkak të stakimit të filtrave apo abuzimit me lëndët djegëse nga disa operatorë industrialë. Ndërkohë asnjë masë nuk është marrë që nga janari i vitit 2020 kur kanë kaluar më shumë se dy vjet e gjysmë nga ristrukturimi.

Një reformim i institucioneve rajonale e ka zhvendosur Drejtorinë Rajonale të Mjedisit në qytetin e Beratit. Nga korriku i këtij viti, Elbasani nuk ka më asnjë strukturë për mbrojtjen mjedisore, si nga inspektorati mjedisor, ashtu edhe Agjencia e Mjedisit.
Rajonalizimi ka sjellë spostimin në Berat ku do të ngrihet Agjencia Rajonale e Mjedisit që përfshin qarkun e Elbasanit me rreth 450 mijë banorë, qarkun e Korçës me 258 mijë banorë dhe qarkun e Beratit me 143 mijë banorë. Ekspertë të mjedisit thonë se reformimi i institucioneve penalizoi Elbasanin e njohur si zonë e kuqe përsa i përket ndotjes mjedisore.

Ahmet Mehmeti, kryetar i Klubit Ekologjik Elbasan deklaron se kjo reformë e dëmton rëndë mjedisin në Elbasan: “Lëvizja e Drejtorisë dhe Inspektoriatit mjedisor në Berat ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej Elbasanit. Nuk ka asnjë logjikë dhe asnjë planifikim pse ky institucion duhet të zhvendosej nga një zonë problematike që ka nevojë ta ketë 24 orë të hapur sytë e shtetit në një zonë të qetë mjedisore, vetëm se duhet të punësohen 20 apo 30 nga partitë politike. Unë e konsideroj një veprim të nxituar dhe duhet të riparohet sa nuk është vonë”.



FOTO NGA AHMET MEHMETI

Mehmeti konfirmon se niveli i ndotjes mjedisore në zonën industriale është rritur në monitorimin e fundit të realizuar nga struktura të pavarura mjedisore. Nga një monitorim i bërë nga Klubi Ekologjik Elbasan në kuadër të projektit “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona” nën mbështetjen financiare të BE mbi NO2 , VOC, PM2.5, PM10 dhe CO2 (supstanca ndotëse) në rreth 50 pika të bashkisë Elbasan rezulton nga matjet se janë mbi normat e lejuara të BE sidomos substancat NO2 dhe VOC. “Industria që nuk përdor teknologji sipas standardit si dhe nuk vendos filtrat ndikon në shtimin e ndotjes nga NO2. Një shkaktar tjetër është edhe djegia e biomasës së lagur dhe jashtë rregullave teknike etj.
Kjo gjendje rezulton edhe nga puna e pamjaftueshme që bëhet për monitorimin nga ana e organeve kompetente për zbatimin e ligjit dhe forcimin e sanksioneve e zbatimin e tyre ndaj shkaktarëve të ndotjes industriale, autoriteteve përgjegjëse shtetërore dhe private etj”.
I pyetur mbi ndotjen gjatë muajve të fundit të vitit 2020 eksperti I mjedisit Ahmet Mehmeti deklaroi se ka pasur një rritje të nivelit të ndotjes me gati tre herë se rezultatet e një viti më parë. Në vazhdim të projektit Mehmeti bën matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes në ajër duke konstatuar edhe tejkalime të normave të BE. Sipas Mehmetit ka luhatje të ndjeshme. Kështu ka ditë që ndotja është nën normat e BE ndërsa në ditë të tjera ajo tejkalohet me disa here. Ai thekson se duhet patjetër një monitorim më i rreptë i ndotësve potencialë siç janë operatorët industrialë pasi shpesh lënda djegëse e përdorur shkakton ndotje të madhe dhe stakimi i filtrave bën që niveli i ndotjes në qytet të rritet disa fish.
Situatën e konfirmojnë edhe banorë të zonës të cilët shprehen se stakimi i herëpashershëm i filtrave nga operatorët industrial, sidomos gjatë periudhës së fundjavës, ka shtuar ndjeshëm ndotjen e ambjentit.

Katër inspektorë për 850 mijë banorë

I kontaktuar nëpërmjet telefonit, drejtori i komanduar i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Berat Xhako Lamçellari, deklaroi se struktura rajonale ka nisur punën nga 1 korriku por është ende është në ristrukturim.

“Kemi vetëm 4 inspektorë për të gjithë rajonin dhe ende nuk kemi mjete logjistike”, shprehet Lamçellari. I pyetur nëse janë ndjekur raste të ndotjes së mjedisit në qarkun e Elbasanit, Lamçellari konfirmoi se kanë qenë vetëm dy raste të ardhura nëpërmjet platformës për bashkëqeverisjen. Ai deklaroi se është ndjekur një prej rasteve, zhurma e gjeneratorëve nga një fabrikë imbotilimi në Gjinar, rast që i është referuar institucioneve në Elbasan por ende nuk ka marrë një përgjigje. Lamçellari është komanduar në këtë detyrë në pritje të reformimit total të institucionit.
Ndërkohë Drejtoria Vendore e Policisë në Elbasan që tashmë ka marrë kompetencat e kontrolleve edhe për çështjet mjedisore deklaroi se janë zhvilluar 45 kontrolle për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore duke përfshirë këtu prerjen e paligjshme të pyjeve dhe ndërtimeve pa leje në periudhën maj-shtator 2020.

Sipas informacionit nga ky institucion janë proceduar për prerje të paligjshme të pyjeve 17 shtetazs, 63 shtetas për ndërtim pa leje dhe vetëm një shtetas për ndotje të ajrit. Behet fjale për procedimin e një administrator firme, fitues i tenderit të pastrimit të mbetjeve urbane në bashkinë Librazhd. Dyshohet se kjo kompani ka derdhur mbetjet në një gropë duke ndotur ambientin.
Ndërkohë qytetarët e Elbasanit janë të painformuar mbi këto ndryshime. Askush nuk di ku të përcjellë ankesat për mjedisin edhe për ngjarje që prekin një komunitet të caktuar siç janë zhurmat, ndotja nga fabrika përpunimi, ndotja industriale, apo ndotja e lumenjve. Ndërkohë sa i përket monitorimit të nivelit të ndotjes, vetë monitorimi mbetet forma kryesore për të matur ndotjen që shkaktojnë operatorët e mëdhenj industrial në Elbasan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu