Aksidenti në Vermosh, dyshohet që avioni është montuar nga punëtorët artizanalë/ Shoqërohen në polici 10 persona

0

Policia e Shkodërs vijon bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe Malin e Zi, sa i përket avionit që pësoi avari të hënën në Kelmend. Burime për “InfowebTv” bëjnë me dije se janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje të paktën 10 persona, të cilët janë kryesisht banorë të zonës së Vermoshit.

Policia ka informacion që ky avion i paçertifikuar është montuar pjesë-pjesë në Shqipëri, ndërsa personat e shoqëruar janë qytetarë që merren me punë të ndryshme artizanale në zonën e Vermoshit dhe përreth saj të2 cilët mund të kenë informacion për këtë mjet fluturues.

Pavarësisht kësaj, ende nuk ka asnjë provë konkrete që përfshin ndonjërin prej tyre të paktën deri tani. Që prej marrjes së njoftimit, DVP Shkodër vijon kontrollet në zonën përreth vendit ku është rrëzuar avioni për mbledhjen e provave të mundshme, që mund të dërgojnë në identifikimin e 2 personave që ndodheshin në bord.

Ndërkohë, burime nga grupi hetimor thonë se ka dyshime të forta se avioni i modifikuar, pa flamur, numër dhe certifikim, të ketë qenë në fazë testuese, duke mos u përjashtuar mundësia e përdorimit të tij për trafikim të narkotikëve. Të vetmet prova që mund të ndihmojnë hetuesit, janë shenjat e gishtërinjve që piloti dhe pasagjeri të kenë lënë në mjet, pasi asnjë provë materiale nuk është gjetur në vendngjarje.

Sipas Policisë, për këtë fluturim nuk ka pasur dijeni as kulla ajrore duke provuar në këtë mënyrë se avioni kishte bërë ngritje të paligjshme. Mendohet se anëtarët e bordit kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë kohës që fluturonin mes kufirit shqiptaro-malazez, me persona që i kanë ndihmuar të largohen në drejtim të paditur pas incidentit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu