Aksidenti tragjik në Podujevë: Dy viktimat nga Malisheva, fëmija në gjendje të rëndë shëndetësore

0

Dy personat që humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi sot në Podujevë, janë nga fshati Jançishtë e Komunës së Malishevës, raporton Express. Lajmin e ka konfirmuar Kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati.

Ai është shprehur po ashtu se njëri nga fëmijët që ka mbetur i lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa tjetri i lënduar lehtë.

“Dy qytetarë nga Komuna e Malishevës e kanë humbur jetën në një aksident trafiku. Njëri nga fëmijët është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe tjetri është i lënduar lehtë. Komuna e Malishevës është në ditë dhimbje e pikëllimi për humbjen e tyre. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe gjithë qytetarëve”, ka thënë Kastrati për Express.

Kujtojmë se një 35-vjeçare me inicialet M.S dhe një 36-vjeçar me inicialet Sh.S, kanë mbetur të vdekur pas një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot në rrugën Prishtinë-Podujevë. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti bëri të ditur se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar edhe dy fëmijë.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, kurse trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu