Akuzat e Berishës, Majko shkresë zyrtare Shërbimit Informativ të Shtetit: Me vendosni në dispozicion çdo informacion që ka lidhje me emrin tim

0

TIRANA- Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ të Shtetit duke i kërkuar që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion lidhur me akuzat e kreut të PD-së Sali Berisha ndaj tij se është përgjigjuar. Majko shprehet në letrën drejtuar SHISH se si deputet ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij.

“Lutem më vini në dispozicion, konfirmimin tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin tim”, shkruan Majko.

Shkresa e deputeti drejtuar SHISH:

Të nderuar

Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj.

Me cilesinë e deputetit të Kuvendit të Shqiperisë si dhe në bazë të Ligjit nr.8550, datë 18.11.1999 “Për Statusin e Deputetit” e konkretisht të nenit 8 në të cilën thuhet se:

1. Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij, nga ministrat ose nga drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore, si dhe nga drejtuesit e çdo institucioni tjetër në administratën publike ose të qeverisjes vendore

2. Drejtuesit e institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni janë të detyruar t’i përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

3. Në rast shkeljeje të pikës 2 të këtij neni, njoftohet Kryeministri për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në rastet e enteve apo institucioneve të tjera qendrore, njoftohet organi prej të cilit ato janë zgjedhur.” lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim.

Bashkelidhur, Fotokopje e deklaratës së deputetit Sali Berisha.

DEPUTETI Pandeli MAJKO

Më 6 janar, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar Pandeli Majkon për lidhje me krimin elektoral në Kukës, duke e përfshirë atë në aktivitete të paligjshme që lidhen me trafikun e drogës dhe armëve. Ai ka përmendur një ngjarje, ku sipas tij Majko dhe disa të tjerë, përfshirë drejtorin e OSHEE në Kukës, planifikonin të përdornin shtylla centrifugale për të realizuar një skemë të blerjes së votave, duke shpërndarë para në disa zona. Berisha ka kritikuar gjithashtu Pandeli Majkon për sjelljen e tij në Tiranë dhe lidhjet e tij me ministra të korruptuar, duke e quajtur atë një nga figurat më problematike të politikës shqiptare.