Akuzohet për dy raste shpërdorimi detyre, sot seanca e radhës në GJKKO për Vangjush Dakon, avokati paraqet kërkesat

0

TIRANA- Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, për të cilin Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 2.8 vite burg, me gjykim te shkurtuar. Ndaj Dakos rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës në dy raste teksa ndohet nën masën “arrest shtëpie”.

Mësohet se Dako nuk është paraqitur vetë në seancë, por përfaqësohet nga avokati i tij, Petrit Ismaili, i cili gjatë konkluzioneve përfundimtare kërkoi pafajësi ose në rast të shpalljes fajtor, kërkoi pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg.

Vangjush Dako u arrestua në qershor 2023 pasi ndaj tij ishte caktuar ‘arrest me burg’ por pas 8 muajsh, në shkurt 2024 GJKKO vendosi të ndryshojë masën e sigurisë në ‘arrest shtëpie’ për shkak të kalimit të afateve.

SPAK kërkon dënimin me 4 vite burg për ish-kryebashkiakun, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi zbret në 2.8 vite. Në korrik të këtij viti Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako për gjykim të shkurtuar, 1/3 e dënimit.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste: me dhënien e një leje ndërtimi për një pallat në vitin 2014 dhe për shpërdorim detyre në tenderin e supervizimit të promenadës për vijën bregdetare, me vlerë rreth 200 mijë euro.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu