Ambasadorja e SHBA në OKB: Po zmbrapsim përpjekjet e Kinës kudo në botë për të ripërkufizuar rendin botëror

0

TIRANË- Linda Thomas Greenfield, ambasadorja e SHBA-së në OKB, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ajo zgjodhi të zhvillojë një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan ku ka folur për një sërë çështjesh të ndryshme. Ndër to edhe për influencën e Kinës në botë. Sa i përket Kinës ambasadorja pranon se ajo po e shfrytëzon këtë moment për t’u fuqizuar, por thekson se SHBA po zmbraps përpjekjet e saj kudo në botë për të ripërkufizuar rendin botëror.

PJESË NGA INTERVISTA:

Blendi Fevziu: Është një situatë e çmendur, të mendosh që një person i vetëm, jo institucionet, jo parlamenti, asgjë, vetëm një njeri ‘one man show’ kjo është e çuditshme. Një shtet i madh si Rusia, dhe ndaj dua t’ju pyes; të gjithë janë të përqendruar të Rusia. Rusia ka edhe problemet e veta të brendshme, probleme të mëdha me sanksionet dhe probleme ekonomike. Por, ky është edhe një moment kur Kina po forcohet. Kina është e pranishme kudo në Europë. Janë në Afrikë. Në çdo vend që viziton, do gjesh hotele kineze, investime kineze, ndërtime kineze. A po krijon Kina një profil të ri në botë, më të fuqishëm se më parë?

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Sigurisht që janë. Kanë bërë përpjekje vërtet të bashkërenduar për të mbushur hapësira, për arsye që vetëm ata mund t’jua thonë, që mendojnë se janë të hapura për ta. Sigurisht u futën në hapësira nga ku u tërhoqëm ne në vitet e shkuara kur nuk ishim anëtarë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Kur u tërhoqëm nga OBSH. Pra, janë përpjekur të mbushin këto hapësira. Kanë bërë çmos në Nju Jork në përpjekje për të vendosur sistemin e vlerave të tyre brenda sistemit të OKB-së. Por ne jemi kthyer tashmë. Jemi kthyer. Dhe ne po ushtrojmë udhëheqësinë tonë. Po zmbrapsim përpjekjet e tyre kudo në botë për të ripërkufizuar rendin botëror. Dhe po punojmë shumë-shumë ngushtë me të gjithë partnerët tanë për t’u siguruar që vlerat që janë sanksionuar në Kartën e OKB-së të respektohen nga të gjithë anëtarët.

Blendi Fevziu: Po flitet për një botë shumëpolare, le të themi, jo një botë me dy apo tri fuqi, por ndryshe. Edhe me fuqi lokale. Është e vërtetë?

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Mendoj se ata këtë argumentojnë. Dhe ne në fakt shohim një botë shumëpolare. Shohim një OKB që duhet reformuar. Kemi folur që kohët e fundit, ku Jugu Global nuk ka përfaqësim të mjaftueshëm – për shembull në Këshillin e Sigurimit. Prandaj po diskutojmë shumë haptas dhe shumë seriozisht për reformën e Këshillit të Sigurimit dhe se si mund ta bëjmë Këshillin e Sigurimit më përfshirës, më përfaqësues të zërave të Jugut Global dhe të tjerëve që nuk përfaqësohen në Këshill.

Blendi Fevziu: Vende të tjera duan të luajnë një lojë – le të themi – tjetër, vende si Turqia, Meksika, Afrika e Jugut, disa herë Irani, gjithashtu, në njëfarë mënyre. Ka vende që duan të dalin prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në varësi të interesave të tyre, jo interesave kombëtare.

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Mendoj se pjesë e kësaj është që duan t’i luajnë ato role në OKB dhe duan të jenë pjesë e zërit më të gjerë të Kombeve të Bashkuara. Ndaj po dëgjojmë se ç’kanë për të thënë. Duam të dëgjojmë zëra të ndryshëm që të dëgjohen në Këshillin e Sigurimit. Dhe prandaj Presidenti Biden shpalli në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme se ne mbështesim edhe zgjerimin e Këshillit të Sigurimit./tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu