Angazhimi në fushatë shkak i vrasjes?/Një nga pistat ku po hetohet për ekzekutimin e Bardhok Pllanajt

0

Krahas pistës se vrasja e Bardhok Pllanaj mund të jetë shkaktuar nga përplasja mes grupeve kriminale në qytetin e Shkodrës, prokuroria nuk përjashton edhe pistën se eliminimi i tij mund te kenë ndodhur për shkak të angazhimit të tij në fushatë zgjedhore.

Ky informacion konfirmohet jo zyrtarisht nga grupi i hetimit që thotë se po verifikon të gjitha takimet që viktima ka kryer ditët e fundit të jetës në qytetin e Shkodrës.

Por pavarësisht pistave ku përfshihen ngjarje të 2011 në qytetin e Shkodrës, apo edhe të ditëve të fundit, prokuroret nuk janë ende të sigurt se cila prej tyre është e duhura dhe që do ekspozojë identitetin e vrasësve. Sidoqoftë , në orët në vijim prokuroria pritet të dërgojë oficerë të policisë gjyqësore për të pyetur anëtarë të familjes së Pllanajt për lidhjet e tij me politikën si dhe për përplasjet në botën e nëndheshme të krimit.

Megjithëse ka pak shpresë që familja t’i besojë sekrete hetuesve, ata pretendojnë që së paku të informohen se kë do të takonte Bardhok Pllanaj, mbrëmjen kur i la të afërmit në shtëpi dhe doli prej andej ndonëse ishte orë policore. Pllanaj i njohur me nofkën “Kumbari” u qëllua me 79 plumba automatiku nga dy vrasës, që më pas humbën gjurmët pasi dogjën mjetin “Pasat” me të cilin e ndoqën.

Prokuroria këmbëngul se ka sekuestruar disa kamera sigurie, me qëllimin për të zbardhur itenerarin e ditës së fundit të automjetit te vrasësve që u përdor nga atentatorët. Për shkak të dinamikës se si është qëlluar Bardhok Pllanaj  prokurorët janë të sigurt se vrasja ka lidhje me ngjarje të ndodhura në këtë qytet dhe se autorët gjithashtu janë vendas.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu