Ardi Veliu shkon sërish me urgjencë në qytetin problematik

0

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka shkuar sërish në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që Drejtori i Policisë Kriminale Tonin Vocaj mësohet se ka qëndruar në Elbasan natën e djeshme.

Prezenca e krerëve më të lartë në Policinë e Shtetit në Elbasan lidhet me vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe përplasjen e mbështetësve të forcave politike në këtë qark.

Si ndodhi ngjarja?

Struktura e mbrojtjes së votës së Partisë Demokratike në Elbasan, pasi ka konstatuar një automjet me xhama të zinj që lëvizte pa targa në zonë ka njoftuar policinë rreth 20 minuta përpara se të ndodhte përplasja. Automjeti sipas Partisë Demokratike dyshohej se ishte i mbushur me para në kuadër të planit për blerjen e votës në lagjen ‘5 Maji’.

Drejtuesi i mjetit me xhama të zinj ka debatuar me ish-efektivin e Reneas Arbër Paplekaj, pjesë e strukturave të mbrojtjes së votës në PD, dhe ka njoftuar për ndihmë Pjerin Xhuvanin dhe disa persona të tjerë. Në momentin që debati ka agravuar në përdorimin e armës në vendngjarje ndodheshin dhe efektivët e policisë së bashku me drejtues të komisariatit të Elbasanit.

Si pasojë e të shtënave kanë mbetur të plagosur Emiljano Prenga, Pavlo Vuksani, (anëtarë të SMV-së), si dhe Eltjon Bodinaku (dhëndri i viktimës) dhe Xhensila Sota, efektive e FNSH-së e cila është gjetur në vendngjarje. Sota po rrinte në anë të rrugës me zv. drejtorët e policisë dhe dyshohet se u plagos nga një plumb rikoshet.

Si autor i vrasjes së Xhuvanit është identifikuar Arbër Paplekaj, i cili është një ish-efektiv i RENEA-s i cili për disa vite ka mbuluar çështjet e sigurisë pranë ambasadës amerikane. Paplekaj u vetëdorëzua në repartin RENEA në Tiranë, ku dorëzoi dhe armën e krimit, një pistoletë tip Glock të cilën e kishte me leje.

Ai është shprehur se ka qëlluar me armë në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi grupi i Xhuvanit ka qenë i pajisur po ashtu me armë.

Burimet bëjnë me dije se i plagosur ka mbetur dhe shtetasi Klemend Xhaferri, i cili në mënyrë të çuditshme, edhe pse e gjithë skena është zhvilluar në sytë e Policisë së Shtetit, ka mundur që të largohet prej aty dhe është shpallur në kërkim nga ana e bluve të Elbasanit.

infowebtv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu