Pogradec
Vihet në pranga një tjetër bashkëpunëtor në tentativën për trafikim të lëndëve narkotike drejt Maqedonisë së Veriut, ndodhur në muajin qershor të vitit 2021.
36-vjeçari i ndaluar, bashkëpunëtor me 2 shtetas (vëllezër) që trafikonin lëndë narkotike, me mjete lundruese, përmes liqenit të Ohrit.
Në vijim të punës për dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 18.06.2021, në Pogradec, ku në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, u godit një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. P. dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi F. P., specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec ndaluan një tjetër shtetas të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale, konkretisht:
H., 36 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 13.08.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike, me mjete lundruese, nga Shqipëria në drejtim të Maqedonisë së Veriut, përmes liqenit të Ohrit. Në muajin qershor të vitit 2021, shtetasi A. P. u kap me 1 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një varkë dhe 2 motora uji, që përdoreshin për trafikimin e lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.