Banorët e fshatit Lekaj në protestë: ARRSH të mbyllë ‘kanalin e vdekjes’, po na vret

0

Banorët e fshatit Lekaj kanë dalë në protestë ditën e sotme në rrugën dytësore të aksit Kavajë – Rrogozhinë, pasi kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për mbylljen e një kanali vaditës 4 metra të thellë dhe 1.5 metra të gjatë, që sipas tyre është një burim aksidentesh për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve që kalojnë aty.

Ata kërkojnë të merren masa urgjente nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili ka lënë të hapur kanalin në mes të rrugës.

“Këtu ndodhemi sipër kanalit “Peqin-Kavajë”, kjo hapësirë (kanal) është burim aksidentesh. Një person ka rënë së fundmi me biçikletë dhe është në gjendje të rëndë. I bëj thirrje ARRSH-së të marrë masa”, tha një banor.

Sipas pamjeve që transmeton Report Tv, që kur është ndërtuar rruga dytësore, është ngushtuar korsia për shkak të këtij kanali, ndërkohë që nuk asnjë tabelë apo sinjalistikë rrugore për orientimin e drejtuesve të mjeteve.

“Ky është burim aksidentesh, e kam shtëpinë 50 metra larg dhe e shoh se çfarë ndodh. Sa bie mbrëmja ndodhin aksidentet se nuk ka asnjë tabelë as ndriçim. Shoferët nuk e dallojnë kanalin dhe bien brenda! Ky është një vend që duhet mbyll se s’bën. Çfarë i kushton shtetit ta rregullojë?! Ose të paktën të na lejojnë se e bëjmë ne”, thanë të tjerë banorë të zonës.

Vetëm 10 ditë më parë një banor i fshatit Lekaj humbi jetën, teksa ra me motoçikletë në këtë kanal, ndërsa një tjetër i aksidentuar po lufton për jetën në Spitalin e Traumës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu