BE dënon dhunën e protestusve të Berishës, “Shqipëria ka nevojë për një opozitë solide”

0

Ndërkombëtarët kanë dënuar aktet e dhunës të shënuara në protestën e thirrur nga Sali Berisha paraditen e 8 janarit në selinë blu.

Me anë të një postimi në median sociale Facebook, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje.

“Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm”, shkruhet në postim.

Për BE-në, rruga e integrimit të Shqipërisë ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në agjendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE.

Në lidhje me tensionet e krijuara para selisë së PD-së, më herët reagoi edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara me rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit”.

Ajo u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të ushtrojnë qetësi.

“Ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbajnë përgjegjësi”, ka paralajmëruar Kim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu