Befason historiani Loyd Jones: Enveri Hoxha ka patur sozi, ai ka qenë nga fshati Topojan

0

Ka pasur apo jo Enver Hoxha sozi? Dilema që ka munduar prej kohesh shqiptaret, ka marrë përgjigje nga më të ndryshmet.

Kur kanë qenë të pakta gjetjet nga studiues vendas, historianë të huaj kanë hulumtuar gjatë dhe me botimet e tyre zbardhin të vërtetën e këtij aspekti të fshehtë të jetës së Enver Hoxhës.

Njëri ndër ta është dhe neozelandezi Loyd Jones, i cili në fillim të viteve ‘90 ka vizituar Shqipërinë dhe ka investuar gjatë për të rënë në gjurmët e njërit prej sozive që përdorte Enveri në fundin e viteve ‘60. Petar Shapallo, e identifikon Jones sozinë e Hoxhës nga zona e thellë e Kukësit, që ka lënë në fshehtësi profesionin e dentistit dhe ka “aktruar” për shumë vite rolin e vështirë të njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë komuniste…

KUJTIM PERLLAKU

Peter Shapallo ka qenë një ndër sozitë e Enver Hoxhës. Të paktën kështu thuhet nga autorë që kanë rrëfyer histori me protagonist Shapallon. Një histori e tillë tregohet nga Loyd Jones në librin e tij të udhëtimeve, ku pretendohet se një dentist i quajtur Peter Shapallo luante rolin e Hoxhës në shumë funksione zyrtare, duke ulur rrezikun e atentatit ndaj tij, duke bërë një jetë të fshehtë.

“Shapallos i ishte thënë të favorizonte këmbën e majtë kur ecte, shkruan Loyd Jones. Në rast të takimeve të paplanifikuara me publikun ai udhëzohej të fliste për kujtime të fëmijërisë.

Ai duhet të niste duke shikuar në largësi dhe duke thënë: ‘Kur kam qenë i vogël…’ Shapallo është njohur si një ndër sozitë prefekte për Hoxhën. Kur udhëheqësi mbante dietë edhe ai binte në peshë, linja e flokëve të tyre rrallohej njëlloj, ndërsa kur udhëheqësi kishte ndrydhur këmbën, edhe Shapallo duhej të çalonte.

Loyd Jones

Edhe në film Shapallo shfaqej si një hije e ngadaltë e Hoxhës që ia bënte me dorë turmave, ose kur ndalonte për të marrë lule nga një vajzë e vogël”. Në këtë rol jeta e Shapallos ka qenë një ferr, megjithëse në sipërfaqe jetonte në Bllokun e veçantë të udhëheqjes në Tiranë.

Misioni misterioz e donte që të gjitha të dhënat nga jeta e mëparshme personale e tij të zhdukeshin. Këtu përfshiheshin vdekja e prindërve, e kirurgut plastik, e njerëzve të tjerë që e njihnin, të cilët raportohet se kishin pësuar vdekje në aksidente misterioze. Afrim Dangëllia, një studiues vendas, shkruan se “Hoxha ishte një pranoja e tipit të Hitlerit, Stalinit, Çauçeskut dhe Sadam Hysein”. Libri i Loyd Jones është e para përpjekje që hedh dritë mbi sozinë e diktatorit.

Libri i shkruar në formë rrëfimi në vetë të parë, një gjini mes ditarit letrar dhe shënimeve të udhëtimit me titull “Sozia e diktatorit” u botua në vitin 1993 menjëherë pasi autori kryen udhëtimet në Shqipërinë atëhershme.

Ky botim, i cili ka njohur plot përkthime u soll në gjuhën shqipe nga Jonuz Kola, një profesionist i gjuhës angleze. Përkthyesi ka bindjen se me të vërtetë ekzistojnë rrethana që të bëjnë të besosh se sozia e Hoxhës u mor nga fshati i Topojanit në rrethin e Kukësit dhe vinte nga një familje e zbritur kohë më parë nga fshati Novosej.

Në libër, emri i sozisë është Petar Shapallo (jo Shapllo siç thuhet në botime të fundit kur bëhet fjalë për të, ku edhe origjina e tij lidhet gabimisht me Tropojën, edhe duke iu referuar Jones, i cili e jep atë nga Topojani i Kukësit). Identiteti i tij i vërtetë është i vështirë të caktohet pasi, duke llogaritur dytësimin ai ka ndërruar tri herë. Së pari tregohet se trungu i vjetër i sozisë jetonte në Novosej, rreth 7 kilometra larg Topojanit, dhe atje është njohur me mbiemrin Toçilla.

Më pas kur u vendosën në Topojan, nuk dihet se kur, ata morën mbiemrin Lami. Dhe kur djaloshi u thirr për “detyrën e rëndësishme” në fund të viteve ‘60 të shekullit të shkuar, ku formalisht ai u shpall i vdekur, madje në praninë e nënës dhe gruas, në të vërtetë mori një identitet të ri me emrin Petar Shapallo, gjithnjë sipas Jones. Për rolin e ri, ai sigurisht iu nënshtrua modifikimit fizik, edhe pse ngjante aq shumë me diktatorin, por edhe psikik, duke ia shpëlarë trurin.

Përkthyesi Kola tregon se në mesin e viteve ‘90, përkatësisht në vitet 1994, ‘95 dhe ‘96 ka udhëtuar disa herë në Kukës një gazetar kanadez me emrin Mark Klark. Ky, siç ka dalë në dritë më vonë, ka qenë i interesuar të shkruajë për shqiptarët, duke ndjekur gjurmët e Edith Durhamit dhe ka shkruar edhe ky një libër për shqiptarët që vlerësohet në Perëndim.

Duke qenë se Kola e shoqëronte atë në zonat rurale, në Topojan kryesisht, mëson nga ai se, sipas një libri të udhëtarit neozelandez Jones, sozia e Hoxhës ka qenë nga fshati Topojan dhe se ai vetë kishte bërë mijëra kilometra rrugë pikërisht për të rënë në gjurmët e sozisë. Kështu i bien kryq e tërthor fshatit dhe disa fshatrave përreth, duke pyetur për personazhin-sozi. Dhe sigurisht që fshatarët ngrenë supet, sepse asnjëherë pyetja nuk u bë për njeriun me identitetin origjinar, por për njeriun me identitet të ndryshuar. A keni njohur ndonjëherë një dentist me emrin Shapallo, Petar Shapallo?

Askush nuk kishte njohur e as dëgjuar. Ky emër nuk i takonte kësaj krahine. A nuk ka qëlluar që në fundin e viteve ‘60 të zhduket një dentist i fshatit papritur? Lloyd Jones, në librin e vet, ka shkruar se sozia e ardhshëm i diktatorit punonte dentist, madje mjeshtrit e Sigurimit e ndërpresin nga puna dhe nuk i japin kohë të mendohet gjatë dhe e dërgojnë në Tiranë.

Sidoqoftë, Klarku i sjell Kolës një botim në anglisht të librit “Sozia…” dhe ky arrin të sigurojë nga botuesi në anglisht të drejtën e përkthimit në gjuhën shqipe. Përkthimi në shqip Kola tregon se punën e shqipërimit të këtij libri e nisi që në vitet 1997-1998. Kola thotë se për faktin që në libër përmenden dhe janë protagonistë dhjetëra persona konkretë që jetojnë, të cilët në fillim të viteve ‘90 e shoqëruan Jones-in në Shqipëri, përmendja e tyre përbënte një shkak për t’u kërcënuar.Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu