Belsh-Në fshatrat e Bashkisë së Belshit ,ullishtat nuk po përdoren vetëm për prodhimin e ullinjve por falë përdorimit të disa formave fantastike të krasitjes ato po zbukurojnë kodrat e të gjithë fshatrave .Aktualisht në pjesën më të madhe të vendit tonë mungojnë krasitësit profesionistë në zonën e Dumresë falë punës së mjeshtrave të krasitjes së ullinjve ,atyre po u jepet forma e përzgjedhur e cila përmirëson jo vetëm cilësinë e sasinë e prodhimit por balancon edhe aktivitetin vegjetativ me atë prodhues.Sa më mirë që të krasiten ullinjtë , aq më i madh është prodhimi i tyre në vitin në vazhdim dhe aq më panoramike duken plantacionet me ullishta të Belshit dhe të gjithë zonës së Dumresë.Krasitësit e ullinjve janë cilësuar mjeshtra të vërtetë të këtij procesi pune .Ata kanë një eksperiencë të shkëlqyer të fituar nga puna në emigracion , kryesisht në Greqi ,Spanjë, Itali, Turqi dhe gjetkë ku kanë marrë njohuri të plota si profesionistë të kësaj fushe.Falë punës së tyre kultivuesit e plantacioneve me ullinj në fshatrat e Belshit po shtojnë të ardhurat e tyre nga viti në vit .Krasitësit profesionistë të ullinjve tregojnë se kjo punë kërkon njohuri të shumta të kësaj fushe dhe kërkon aftësi praktike të mjaftueshme për të kryer si duhet krasitjen .Një krasitës profesionist sipas tyre duhet të dijë saktë jo vetëm periudhën kur duhet bërë krasitja por ai duhet të përcaktojë me saktësi se cilat degë duhen prerë dhe si duhet kryer ky proces delikat .Krasitësit duhet të njohin mjaft mirë llojet e varieteve të ullinjve e strukturën e tyre dhe sygjerojnë se plantacionet duhen krasitur nga të njënjtët mjeshtra në mënyrë që pema të ketë zhvillim
të shëndetshëm e prodhim të bollshëm.Aktualisht në zonën e Dumresë dhe në të gjithë Shqipërinë numërohen dhjetra milionë rrënjë ullinj , por krasitësit profesionitë të tyre janë të paktë dhe mungesa e punëtorëve profesionistë të kësaj fushe po ndikon për keq në fuqizimin e këtij sektori sepse dëmet e evidentuara nga keq krasitje rezulton se janë gjithnjë e më të shumta .Referuar të dhënave zyrtare, në vendin tonë për vitin 2023-2024 janë prodhuar 16 mijë tonë vaj ulliri , duke u renditur në vendin e 16-të ndër 30 shtete prodhuese.