Njoftimi i plotë i policisë Durrës:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Seriali”.
Operacioni nga Komisariati i Policisë Durrës në bashkëpunim me strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Durrës.
Zbardhen një seri vjedhjesh të ndodhura javët e fundit, në qytetin e Durrësit.
Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i këtyre vjedhjeve, i cili ishte kthyer në shqetësim për banorët.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale sendet dhe veshjet që ky shtetas përdorte gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Nisur nga disa denoncime të adresuara ditët e fundit, në Komisariatin e Policisë Durrës, për një shtetas që kryente vjedhje gjatë natës, në vende të ndryshme, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ato të DVP Durrës, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen në flagrancë të autorit.
Bazuar në informacionet e grumbulluara u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Seriali”, në kuadër të të cilit u bë kapja në flagrancë e shtetasit P. P., 41 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Durrës.
Ky shtetas u kap në flagrancë gjatë operacionit, në tentativë për të vjedhur në një banesë, në lagjen nr. 2, Durrës.
Nga veprimet e para hetimore dhe provat e sekuestruara (kryesisht veshja që ky shtetas përdorte për të realizuar vjedhjet), bazuar dhe në pamjet filmike të sekuestruara u bë e mundur zbardhja e një sërë vjedhjesh, autor i të cilave dyshohet të jetë 41-vjeçari i arrestuar në flagrancë, konkretisht:
Më datë 09.03.2022, në lagjen nr. 5, ka vjedhur një aparat celuar në një furrë buke, në pronësi të shtetasit D. S.;
Më datë 07.03.2022, ka vjedhur një biçikletë në pronësi të shtetasit A. B., në lagjen nr. 11, Durrës;
Më datë 24.01.2022, ka vjedhur një sasi lekësh në një furrë buke, në lagjen nr. 12 Durrës, në pronësi të shtetasit E. K.;
Më datë 11.01.2022, ka vjedhur një sasi lekësh në dyqanin ushqimor në pronësi të shtetases N. Sh., në lagjen nr. 2, Durrës.
Më datë 17.12.2022, ka vjedhur një biçikletë në pronësi të shtetasit A. B., në lagjen nr. 1 Durrës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin edhe të rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” e kryer më shumë se një herë.