Bilanc tragjik nga protestat për Presidentin në SHBA. 4 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Arrestohen 52 persona

0

 

4 persona kanë humbur jetën gjatë trazirave që u shkaktuan në Capitol Hill në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas policisë metropolitane të Washingtonit gjithashtu janë arrestuar 52 persona, 47 prej tyre sepse kanë shkelur urdhërin e shtetrrethimit bën me dije në një deklaratë për mediat shefi i policisë metropolitane të Washington, Chief Robert J. Contee.

Mësohet se 2 bomba artizanale janë gjetur në kompleksin e ndërtesave rreth Kongresit në SHBA.
Ndërkohë që në Kongres ka rinisur puna për certifikimin e fitores së Biden, pavarësisht të gjitha trazirave që janë shënuar për orë me radhë.

Pamjet e djeshme të hyrjes së qytetarëve në godinën e Kongresit dhe të Senatit bënë xhiron e të gjitha mediave botërore, ndërkohë që pavarësisht vendosjes së një ndalimi qarkullimi në Ëashington kjo nuk i pengoi qytetarët që të vijonin të qendronin në rrugë.

Autoritetet e sigurisë në Uashington DC nxorrën armët për të trembur e penguar protestuesit të depërtonin në godinën e Kongresit të njohur si Capitol Hill. Disa prej tyre u ngjiten në ndërtesë dhe hynë brenda. Forca shtesë sigurie kundër protestave dhe Garda Kombëtare e urdhëruar nga departamenti i Mbrojtjes gjithashtu ndërhynë.

Me thirrjet “Duam Trumpin” demonstruesit, që kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve, pushtuan korridoret e Kongresit ku gjendet Dhoma e Përfaqësuesve dhe senatit, teksa ligjvënësit u evakuuan në një vend të sigurt.

Protestuesit, disa prej tyre të armatosur, u panë duke marshuar në Kongres. Pothuajse të gjithë demonstruesit në Uashington mbanin shenja ose flamuj me emrin e Trump. Disa kishin veshur me bluza që promovojnë teorinë e konspiracionit Q Anon, e cila pretendon se Trump po punon për të goditur një rrjet sekrete të elitave të pedofilëve. Flamuj të Konfederatës janë parë gjithashtu.

Në një deklaratë nga Uilmingto në Delauer presidenti i zgjedhur Joe Biden i bëri thirrje Trumpit të dalë në TV dhe të kërkojë ndaljen e pushtimit të Capitol Hill.

“Kërcënimi i sigurisë së zyrtarëve të zgjedhur, nuk është protestë, është kryengritje. Bota po na sheh. Si shumë amerikanë të tjerë, unë jam i tronditur dhe i trishtuar që kombi ynë, për kaq kohë rrezja e dritës dhe shpresës për demokraci, arriti në një moment kaq të errët. President Trump: Merr masa!”, tha Biden.

Dhe përgjigjja e Trump ishte e menjëhershme. Me anë të një video mesazhi, presidenti apeloi që protestuesit të shkonin në shtëpi.

“E kuptoj dhimbjen tuaj, e di që po vuani. Çdokush e di që zgjedhjet u vodhën. Edhe krahu tjetër. Por ju duhet të shkoni në shtëpi tani.”

Hyrja e demonstruesve në Kongres ndodhi pasi zv/presidenti amerikan Mike Pence doli kundër Trump në nisje të sesionit të përbashkët për të certifikuar zyrtarisht fitoren e Joe Biden, duke mos pranuar kërkesën e Donald Trump që ai të refuzonte në mënyrë të njëanshme votat elektorale. Por menjëherë Trump e akuzoi duke shkruar në Tëitter:

“Mike Pence nuk kishte guximin të bënte atë që duhej bërë për të mbrojtur vendin dhe Kushtetutën tonë, duke u dhënë shteteve një shans për të certifikuar faktet e korrigjuara dhe jo mashtrimet. SHBA kërkon të vërtetën!” Aleatët e Trump në Kongres patën një përpjekje të fundit për të anuluar humbjen e tij në zgjedhje. Megjithatë gjatë diskutimit te votave te Arizonës, udhëheqësi i shumicës ne senat, Mitch Mçonnell tha se “votuesit, gjykatat dhe shtetet e thanë fjalën e tyre. Nëse e vëmë veten mbi to, kjo do ta dëmtonte republikën tonë përgjithmonë.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu