Cilin grup gjaku prek më shumë Covid-i? Ja çfarë thotë mjeku Alimehmeti për studimin e fundit

0

Mjeku Ilir Alimehmeti ka publikuar një studim të fundit të bërë nga studiuesit e Universitetit të Utah dhe Universitetit Stanford, i cili hedh poshtë mitin e lidhjes mes grupit të gjakut të një personi dhe mënyrës sa keq të kap koronavirusi.

Duke risjellë një shprehje të famshme të Dr. David Eagleman “Ajo çka mëson nga një jetë në shkencë është pafundësia e injorancës sonë.”, mjeku Alimehmeti i bën thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat, të ruajnë veten, dhe të mos shqetësohen për grupin e gjakut.

Reagimi i plote:

“Ajo çka mëson nga një jetë në shkencë është pafundësia e injorancës sonë.”

Cit.: Dr. David Eagleman

Miqtë e mi, e mbani mend debatin mbi grupin e gjakut dhe COVID-19?

Shumë persona u panikosën, pasi ishin me grup gjaku A pozitiv, megjithëse në praktikë klinike nuk po e vinim re një gjë të këtillë.

Një studim i sapobotuar në JAMA (Journal of the American Medical Association) më 5 prill 2021 hodhi poshtë çdo hije dyshimi mbi këtë çështje.

Studiuesit e Universitetit të Utah dhe Universitetit Stanford studiuan të dhëna nga një rrjet me: 24 spitale, dhe 215 klinika mjekësore, ku u trajtuan 107.796 persona me COVID-19 në total.

Asnjë grup gjaku nuk kishte diferencë për sa i përket: infektimit nga SARS-CoV-2, shtrimit në spital me COVID-19, dhe shtrimit në terapi intensive.

As në analizën e kufizuar vetëm për racën e bardhë nuk u gjet asnjë diferencë ndërmjet grupeve të ndryshme të gjakut.

Autorët dalin në përfundimin e mëposhtëm:

Duke marrë parasysh kampionin e madh të studiuar, metodologjinë prospektive të studimit dhe rezultatet e forta nule, ne mendojmë se nuk ka gjasa që të ketë lidhje të rëndësishme ndërmjet SARS-CoV-2/COVID-19 me grupet e gjakut AB0.

Grupet AB0 të gjakut nuk janë faktorë të lidhur me cënueshmërinë nga sëmundja ose rëndesën e saj qoftë në nivel individual, qoftë në nivel popullate.

Pra, miqtë e mi, zbatoni masat, ruani veten, por të paktën mos u shqetësoni për grupin tuaj të gjakut!
#infowebtv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu