COVID-19/ Dita e parë pa shtrime në spital, janë shëruar 891 qytetarë dhe po trajtohen 104 pacientë

0

 

Është hera e parë në betejën 14 mujore me Covid 19-tën që në Spitalin e Infektivit, Covid 1, në QSUNT, nuk ka asnjë familjar te gardhi rrethues i spitalit.

Në një status të fundit, mjeku infeksionist, Profesor Doktor, Tritan Kalo shkruan: Në 24 orët e fundit në Urgjencën e Infektivit nuk është paraqitur asnjë i prekur me Covid 19. Është ende herët të thërrasim fitore, por po shohim dritë në fund të tunelit.

Krahas personave të prekur nga virusi, që po trajtohen në shtëpi, aktualisht në spitalet Covid janë shtruar 104 pacientë, nga ata 11 në terapi intensive dhe 4 të intubuar. 2 qytetarë nuk e fituan dot betejën në 24 orët e fundit, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Profesor Kalo i bën thirrje popullatës të mos i dëgjojnë mendjeçartuarit dhe gojështhururit që flasin kundër vaksinimit. Përsa i përket procesit, deri tani janë vaksinuar në vendin tonë rreth 600 mijë persona, ndërsa sfidë mbetet vaksinimi i 1 milionë shqiptarëve brenda majit.

Ditë më të mira duket se po vijnë. Një nga treguesit është fakti që gazetarët po raportojnë gjithnjë e më rrallë nga spitalet Covid. Një ditë më parë Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se vendi ynë doli nga zona e kuqe me rrezik të lartë.

Mjekët megjithatë, bëjnë thirrje për kujdes, në mënyrë që të gjithë së bashku të gëzojmë bukuritë e së bekuarës Nënoke Shqipëri, siç e mbyll statusin e tij profesor Tritan Kalo.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu