Dalin dokumentat, Veliaj aksioner i jashtëligjshëm i klubit Tirana

0

Erion Veliaj e argumenton ndërhyrjen e tij të fuqishme në procesin për zgjedhjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), me atë që ai e konsideron si “interes i ligjshëm”, për shkak të faktit se Bashkia e kryeqytetit që ai drejton është aksionere në Klubin e Futbollit “Tirana”.

Veliaj, në një reagim pas audio-regjistrimit skandaloz, ku ai dëgjohej të përdorte fjalor rrugaçëror dhe presion ndaj kreut aktual të FSHF-së, Armando Duka, në një takim informal me përfaqësues të shoqatave sportive të Tiranës, e theksoi faktin se ai është aksioner në klubin futbollistik kryeqytetas.

U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj! Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit ‘Tirona’, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së…”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Por, sa legjitime janë aksionet e Bashkisë së Tiranës në Klubin Sportiv “Tirana” dhe më tej, sa i legjitimuar është Erion Veliaj për të ndërmarrë “betejën e jetës” së tij kundër Armando Dukës?

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, “Klubi i Futbollit Tirana” është në pronësi të biznesmenit Refik Halili, me 66 përqind të aksioneve dhe Bashkisë së Tiranës, me 34 përqind të aksioneve.

Aksionet që zotëron Bashkia e Tiranës në klubin e futbollit “Tirana” janë në kundërshtim me ligjin “Për Sportin”.

Më konkretisht;

Në 26 Korrik 2020, Parlamenti miratoi disa ndryshime në “Ligjin për Sportin”. Bazuar në këto ndryshime, neni 22 i ligjit formulohet në mënyrë të tillë:

“1. Institucionet publike qendrore dhe vendore, që kanë në zotërim aksione të shoqërive tregtare sportive, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji i nxjerrin ato në shitje në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

• Pas kalimit të këtij afati, institucionet publike qendrore dhe vendore nuk mund të zotërojnë aksione të shoqërive tregtare sportive.

• Nëse në përfundim të periudhës një-vjeçare, aksionet e zotëruara nga institucionet publike në shoqëritë tregtare sportive nuk shiten, këto të fundit marrin formën sipas përcaktimeve të nenit 21 të këtij ligji.”

Këto ndryshime ligjore janë botuar në “Fletoren Zyrtare” në 26 Gusht 2020 dhe kanë hyrë në fuqi 15 ditë më pas, në 10 Shtator 2020.

Po ashtu, Bashkia e Kukësit, megjithëse me vonesë, ka shpallur në Dhjetor 2021 tenderin me objekt “Vlerësimi i aseteve dhe përgatitja e dokumentave për shitjen me ankand të aksioneve të Futboll Klub Kukësi Sh.a”.

Ndërkohë, ekipe të mirënjohura shqiptare, si “Partizani” dhe “Dinamo” apo “Teuta” tashmë janë 100 përqind në pronësi të subjekteve private.

Partizani është në pronësi të plotë të Gazment Demit, ndërsa Dinamo është në pronësi të biznesmenit Ardian Bardhi.

Klubi durrsak, “Teuta”, është në pronësi të disa aksionerëve privatë, ku shumicën e zotëron Edmond Hasanballi.

Ndërkohë, edhe njësi vendore të vogla kanë ndërmarrë procedura për shitjen e aksioneve, në zbatim të ligjit “Për Sportin”.

Kështu, Bashkia e Sarandës ka shpallur në Dhjetor 2021 ankandin për shitjen e 100 përqind të aksioneve të klubit të futbollit “Butrinti”.

Bashkia e Pogradecit shpalli në Gusht të vitit 2021 procedurën e ankandit për shitjen e 100 përqind të aksioneve të skuadrës së futbollit të qytetit, megjithëse u anulua për shkak të konkurencës.

Pra, duket qartë se Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë ndërmarrë as përpjekjet më minimale për të tjetëruar aksionet e tyre në Klubin e Futbollit “Tirana”, në respekt të ligjit “Për Sportin”.

Dhe, nëpërmjet kësaj situate anti-ligjore, Veliaj betohet se “do të kapë edhe FSHF-në si i vetmi ishull që ka mbetur pa e vënë në dorë”, siç dëgjohet në audio-regjistrimin e publikuar pak ditë më parë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu