Del urdhri për punën në administratës/ Kush duhet të jetë i pranishëm fizikisht! Orari do të varet nga…

0

Pas vendimit të qeverisë për ristrukturimin e punës në institucionet e saj, zbardhet urdhri i detajuar që duhet të respektojnë punonjësit gjatë gjithë pandemisë dhe periudhës së shkollës.

Nga kjo javë, administrata do të punojë me orar të plotë, por me personel të reduktuar, pasi puna do të kombinohet midis pranisë fizike dhe online.

Do të jenë eprorët e sektorëve përkatës ata që do të hartojnë një grafik me punonjësit që kërkohen fizikisht dhe ata që mund të punojnë nga shtëpia. Me pak fjalë, është i njëjti orar pune por me kushte të reja. Të vetmit që përfitojnë janë ata që kanë fëmijë në shkollë (deri në klasë VI), orari i të cilëve do të hartohet varësisht nga ai i mësimit, për aq kohë sa ai të vazhdojë në shkolla.

“Institucionet e administratës duhet të përcaktojnë grafikun e nëpunësve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe të atyre që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës. Për prindërit e fëmijëve që frekuentojnë arsimin parashkollor dhe arsimin bazë përcakton një orar ditor të punës në varësi të orarit që fëmija do të frekuentojë mësimin, por duke siguruar që kohëzgjatja maksimale e tij të mos ndryshojë”, citohet në urdhrin e firmosur një ditë më parë.

Ata pak punonjës që do të jenë në zyrë kundrejt distancës së lejuar janë të detyruar të zbatojnë rregullat e higjienës, si dhe të mos përdorin mjetet e njëri-tjetrit. Ndërsa të tjerët do të jenë në dispozicion të eprorit gjatë gjithë kohës. Për të kryer punën institucionet duhet t’u sigurojnë atyre pajisjet e punës si web-kamera, kufje e të tjera, por urdhri nuk parashikon shpenzime shtesë për pagesën e internetit.

Për çdo rast të dyshuar në administratë veprohet njëjtë si me çdo qytetar tjetër, njoftohet njësia vendore e kujdesit shëndetësor dhe bëhet izolimi. Karantinës 14-ditore i nënshtrohen edhe nëpunësit që riatdhesohen nga vendet e tjera. Nëpunësit që punojnë nga shtëpia u nënshtrohen rregullave të rrepta mbi ruajtjen e informacioneve të punës. “Asnjëherë mos e lini pajisjen pa vëmendje ose në ekran publik. Nëse është në makinë, atëherë duhet të jetë në bagazh”.

Mbledhjet e çfarëdo lloji, seminare, konferenca a trajnime profesionale, po ashtu do të zhvillohen online, me përjashtim vetëm të rasteve kur prania fizike e ndonjërit prej tyre është e nevojshme. Edhe kjo, duke marrë paraprakisht masa për minimizimin e riskut të infektimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu