Në orët e 8 dhe 9 Majit mori fund Lufta e Dytë Botërore me kapitullimin e Gjermanisë hitleriane. Rusia e feston këtë si “ditën e fitores”. Por Putini po e përdor gjithnjë e më shumë 9 Majin për propagandë lufte. Dita e çlirimit. Dita e fitores. VE (Victory in Europe) Day. Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe fitorja mbi nacionalsocializmin ka shumë përcaktime. Në disa vende si në Francë apo Sllovaki ajo është ditë feste, në Gjermani ditë përkujtimore. Pas 12 vitesh të sundimit brutal të nazistëve, gati 6 vite luftë, 60 milionë viktima dhe 6 milionë hebrenj të vrarë sistematikisht më në fund u mposht sundimi nazist më 8 Maj. Kapitullimi i nazistëve festohet në ditë të ndryshme në varësi të ditëve të ndryshme të fundit të luftës. Gjeneralkoloneli Alfred Jodl, shef i shtabit të Wehrmachtit e nënshkroi kapitullimin me fuqitë perëndimore në natën e 6 deri 7 Majit 1945 në Reims. Por ajo hyri në fuqi më 8 Maj 1945.