Dukuria e shitjes së produkteve të cigareve te personat nën 18 vjeç vazhdon ende edhe pse është trajtuar disa herë në emisionin “Stop”. Subjektet kanë detyrimin që të zbatojnë ligjin dhe nuk duhet të tregtojnë cigare, puro, cigare elektronike e më gjerë, ndaj të miturve.
Ligji kërkon që të gjitha pikat e shitjes duhet të pajisen me tabelë të dukshme dhe të lexueshme, ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit personave nën 18 vjeç”.Nëse një shitës përballet ndonjëherë me ndonjë të mitur që kërkon cigare, ai duhet t’i përgjigjet në këtë mënyrë.
Shitësi: Shes, por jo për ty, se je i vogël. Duhet të vijë dikush me moshë madhore, jo ti!
I mituri: Ok, faleminderit!
Por ky detyrim nuk zbatohet. Në emisionin investigativ “Stop” ka ardhur një denoncim nga një prind.
Prindi: Kam djalin 12 vjeç, në klasë të pestë. U bë e disata herë radhazi, që ai më vjedh lekë në shtëpi, për të blerë cigare, puro apo gjëra të tjera që nuk lejohen të shiten për moshën e tij. Ky është një shqetësim i madh. Pa asnjë pikë problemi, pikat që i shesin ato, nuk e kanë problem. Ato edhe pa i pyetur duken se është 12 vjeç. Ndodh pranë institucionit ku mëson dhe në çdo cep të Tiranës ndodh ky fenomen. Një ditë shkova në pushimin e gjatë pranë shkollës dhe në një cep atje ishin një grup i madh fëmijësh që po bënin të njëjtën gjë bashkë me fëmijën tim. Atë ditë më ndodhi që më munguan edhe Lekë në portofol.
“Stop” kreu një vëzhgim në Tiranë ku këto produkte, si: cigare, puro dhe cigare elektronike, u janë shitur fëmijëve 12, 13 dhe 15 vjeç.
Një 12 vjecar shkon tek një subjekt pas shkollës “Bajram Curri” dhe blen një puro.
Shitësi: Çfarë do?
12-vjeçari: Do më japësh një puro?
Shitësi: Puro? Si e do?
12-vjeçari: Puro 1500-she.
Shitësi: Për kë e do?
12-vjeçari: Për vete.
Shitësi: Për vete?! Nuk lejohet.
12-vjeçari: Kam marrë edhe herë tjetër.
Shitësi: Kush të ka dhënë? Ajo gruaja, që është këtu.
Pastaj “Stop” u zhvendos në një tjetër zonë të Tiranës. Këtë herë blerësi është 13 vjeç.
13-vjeçari: Teta, si je?
Shitësja: Mirë!
13-vjeçari: A shisni kështu, pufa?
Shitësja: Kam një lloj shije me shalqi.
13-vjeçari: Sa kushton?
Shitësja: 7 mijë lekë. Me 800 ( thithje)
13-vjeçari: Ok, do ma japësh një, të lutem?
Shitësja: Patjetër, urdhëro!
13-vjeçari: Xhaxhi, si je? A shisni kështu, pufa, gjëra?
Shitësi: Po!
13-vjeçari: Me sa pompa i ke? Ja, këto janë.
Shitësi: Me çfarë i do?
13-vjeçari: S’ka problem, një shije! Ok, do më japësh një, të lutem? Faleminderit, mirupafshim!
13-vjeçari: Teta, si je? A shisni cigare?
Shitësja: Të hapura, jo.
13-vjeçari: Jo të hapura.
Shitësja: Sa vjeç je ti?
13-vjeçari: 13.
Shitësja: Je shumë i vogël për cigare.
13-vjeçari: Po puf?
Shitësi: Ka. Me shalqi.
13-vjeçari: Ok, urdhëro!
13-vjeçari: A shisni cigare?
Shitësja: Shesim cigare, por jo të hapura. Çfarë pakete do?
13-vjeçari: Sa kushton?
Shitësja: 290!
13-vjeçari: Urdhëro!
“Stop” u zhvendos sërish në disa zona të ndryshme të kryeqytetit kësaj here blerësi ishte një 15-vjeçar.
15-vjeçari: Më jep një! Sa lekë bën? 8000?
Shitësja: 8600!
15-vjeçari: Rrofsh! Mirupafshim!
15-vjeçari: Çkemi? Përshëndetje! Edhe njëherë, sa lekë bënte kjo?
Shitësja: 12 mijë!
15-vjeçari: Mirupafshim!
15-vjeçari: Mirëdita!
Shitësja: Si je?
15-vjeçari: Ke paketë…?
Shitësja: Paketë? Po!
15-vjeçari: Sa lekë bën?
Shitësja: 2800!
15-vjeçari: Urdhëro!
Shitësja: Faleminderit!
Bruna Shiroka, mjeke, shpjegoi dëmin e përdorimit të cigareve nga moshat e mitura.
Bruna Shiroka, mjeke: Dëmi ndodh edhe më shumë, kur moshat, që i përdorin janë fëminore, nën 18. Shohim një përdorim të gjerë të duhanit nga mosha 10 vjeç e sipër. Dëmi është shëndetësor, por është edhe dëm psikologjik i një varësie duke kushtuar pjesën më të madhe një procesi fizik të marrjes së vazhdueshme të duhanit sidomos për produktet e cigareve elektronike. Pra përveç një dëmi shëndetësor është një dëm psikologjik që e veçon nga pjesa tjetër aktive e ditës, një fëmijë të kësaj grupmoshe. Është edhe një dëm i madh ekonomik në xhepat e familjeve shqiptare. E parë në këto tre këndvështrime vlerësimi nëse duhet përdorur apo jo është plotësisht i qartë. Të evitohet plotësisht./STOP