“Dje nuk humbën vetëm Saliu dhe Luli”, Xhafaj: Fund i tmerrshëm i degradimimit të PD

0

Deputeti socialist dhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj komentoi përplasjen e djeshme në godinën e Partisë Demokratike dhe konfliktin e brendshëm të saj. Në Facebook, shkruan se ngjarja e djeshme meriton pak të quhet turp, ndërsa shton se situata e krijuar në partinë më të madhe opozitare përfaqëson fund të tmerrshëm të degradimit të saj.

Ai i konsideron ish-kryeministrin Sali Berisha dhe liderin aktual të PD Lulzim Basha si dy anë të të njëjtës medalje që përfaqësojnë berishizmin, autokracinë dhe arrogancën politike.

Xhafaj dha mesazhin se opozita shqiptare duhet të ringrihet dhe të ketë lidership të ri të painfektuar nga fryma e Sali Berishës. Një opozitë e fortë dhe e pavarur e shpëton vendin nga kleptokracia dhe autokracia.

POSTIMI I FATMIR XHAFëS:

Nuk ka vend për fitimtarë e as për t’u gëzuar kur sheh se si demokracia dhunohet çmendurisht me vare e gurë, mbyllet me brava apo rivritet me demagogji populiste. Dje fatkeqësisht nuk humbën veç të falimentuarit historik Saliu e Luli, por të gjithë ne shqiptarët u goditëm nga dhuna e shfaqur ekraneve. Ata kanë kohë që janë rrokullisur dhe nuk meritojnë asnjë rresht. Problemi është se me ta dhe si ata po humbasim të gjithë çdo ditë e nga pak. Kështu humbet liria dhe fiton autokracia, humbet demokracia dhe fiton kleptokracia, humbet Shqipëria dhe fitojnë ata që përpiqen çdo ditë ta kontrollojnë atë duke mbajtur vetë bravën dhe vetë çelësin e demokracisë.
Fjala “TURP” është krejt e vogël për të emërtuar përdorimin e dhunës, për të marrë apo mbrojtur pushtetin brenda pushtetit partiak, për të pasur mundësi për pushtet publik, pushtet ekzekutiv, apo pushtet personal mbi shqiptarët. Ky nuk është veç fundi i tmerrshëm i degradimit të një partie politike që na ka qeverisur dhe kërkon të na qeverisë përsëri, por një ngjarje prej së cilës duhen nxjerrë mësime, reflektime e veprime.
Kjo nuk është çështje godinash apo karrigesh, por çështje fryme, sjelljeje dhe kulture politike. Berishizmi ose autokracia e arroganca partiake, kleptokracia dhe korrupsioni politik, fatkeqësisht janë të prekshme në realitetet e sotme partiake. Shiheni modelin në të dy pjesët e PD: Dy lidershipe, dy anë të së njëjtës medalje dhe pjesë të së njëjtës të keqe që kanë keqqeverisur prej vitesh këtë vend.
Kronika e paralajmëruar e një zinxhiri zhvillimesh negative në demokracinë partiake do vazhdojë të thellohet më tej e më gjerë nëse nuk kapim thelbin e problemit: Zbatimin e fortë dhe të barabartë të ligjit, forcimin e institucioneve ligjzbatuese përballë arbitraritetit të individëve të fortë, ndëshkimin e korrupsionit politik dhe demokratizimin e brendshëm të partive.
Qeverisjet janë produkt dhe pasqyrë e partive politike. Qeverisje të mirë, të ndershme dhe në interes të qytetarëve mund të garantojnë vetëm parti politike ku demokracia e brendshme është aktive, ku debatohet e vendosin institucionet e kolegjialiteti në to, ku promovohen vlerat dhe individët e ndershëm, ku nxiten e bëhen konkuruese ambiciet e shëndetshme politike. Andaj, lipset emergjencë për t’i demokratizuar partitë duke nxjerrë “NON GRATA” korrupsionin politik, autokracinë dhe arrogancën politike.
Koha të ringrihet opozita, por me lidership krejt të ri dhe të pa infektuar nga berishizmi dhe nënproduktet e tij të ngjashme. Opozita na duhet realisht të gjithëve të jetë e fortë, e pavarur dhe e ndershme për të shmangur dëmin e madh dhe me kosto të lartë ringjalljeje për demokracinë dhe institucionet demokratike. Kush mendon ndryshe apo akoma më keq, punon për këtë gjë në prapaskenë, dëshiron autokracinë dhe kleptokracinë, vdekjen e demokracisë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu