Drogë dhe lojëra fati brenda lokalit, pranga dy vëllezërve në Malësi të Madhe (Emrat)

0

Dy vëllezër nga Malësia e Madhe janë arrestuar nga Policia pasi përshtatën lokalin për përdorim droge dhe ushtrim të lojërave të fatit. Sipas policisë, të arrestuarit janë shtetasit Emanuel dhe Gabriel Popaj.

Njoftimi

i policisë:
Malësi e Madhe/Goditen 2 raste të vënies në dispozicion të lokaleve, për përdorimin e drogave dhe për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Poker 6”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe.

Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër) që kishin përshtatur lokalin, për përdorim droge dhe ushtrim të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, në fshatin Vukpalaj të Malësisë së Madhe.

Shpallet në kërkim pronari i një lokali tjetër, në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe, pasi kishte përshtatur lokalin e tij, për organizimin e lojës poker dhe lojës me makineta.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë, 5 makineri elektronike, një tavolinë pokeri dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, që ushtrohej në lokale, në zonën e Malësisë së Madhe, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Poker 6”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. P., 27 vjeç dhe G. P., 22 vjeç (vëllezër), banues në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarise kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas kishin përshtatur lokalin e tyre, në fshatin Vukpalaj, për përdorim droge dhe organizim të lojërave të fatit.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 2 makineta që shërbenin për lojërat e fatit.

Në vijim të operacionit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin në pronësi të shtetasit L. H., 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë.

Gjatë kontrollit në ambientet e këtij lokali, Policia gjeti dhe sekustroi 3 makineta për lojëra fati dhe 1 tavolinë pokeri.

Në momentin e kontrollit, pronari i lokalit, shtetasi L. H. nuk është gjetur në subjektin e tij.

Në vijim të veprimeve është bërë shpallja në kërkim e tij, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu