E kishin paketuar në qese, gati për shpërndarje, 3 të arrestuar dhe 2 të shpallur në kërkim për trafik lëndësh narkotike, mes tyre edhe të mitur

0

Pas një operacioni të zhvilluar në Tiranë, kanë rënë në pranga 3 persona, konkretisht shtetasit E. Gj., 17 vjeç, D. S., 17 vjeç dhe E. H., 21 vjeç.
Ndërsa janë shpallur në kërkim gjithashtu edhe 2 shtetas të tjerë përkatësisht S. Gj., 21 vjeç dhe L. K., 20 vjeç.

Të rinjtë e kishin paketuar lëndën narkotike të tipit “cannabis sativa” dhe ishin gati për të bërë shpërndarjen nëpër zona të ndryshme të Tiranës.

Njoftimi i Plotë

Shpërndanin lëndë narkotike kanabis në zona të ndryshme të Tiranës, vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Sekuestrohen 450 gramë lëndë narkotike kanabis, e ndarë në doza gati për shpërndarje.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. Gj., 17 vjeç, D. S., 17 vjeç dhe E. H., 21 vjeç.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 21 vjeç dhe L. K., 20 vjeç.

Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ishin siguruar informacione në rrugë operative se shtetasit S. Gj. dhe L. K., të dyshuar si organizatorët e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, siguronin lëndën narkotike kanabis në sasi 5-10 kg, të cilën e ndanin në doza dhe më pas ua jepnin shtetasve D. S. dhe E. Gj., të cilët ishin të punësuar për shitjen e lëndës narkotike në përdorues të ndryshëm në zonën e Pazarit të Ri, Medresesë dhe në rrugën “Frataj”.

Në bazë të këtyre informacioneve është organizuar puna dhe në rrugën “Frataj” është kapur në kushtet e flagrancës shtetasi D. S., duke shitur lëndë narkotike kanabis në doza, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës, së bashku me një shumë parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim S. Gj., u kap në kushtet e flagrancës shtetasi E. H, duke tentuar të heqë nga banesa, sendet e kundërligjshme që gjendeshin aty, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shtetasi E. H., në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu