E moshuara humbi jetën nga i ftohti, reagon KMD: Qeveria të garantojë energji elektrike për personat në nevojë

0

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka reaguar ditën e sotme për vdekjen e 66-vjeçares Liliana Sema në Fier, përshkak të të ftohtit.

Të ndjerës i ishte ndërprerë energjia elektrike sepse ishte debitore, prandaj KMD i kërkon Këshillit të Ministrave të miratojë sa më shpejt “Statusin e Klientit në Nevojë” si një e drejtë tashmë e njohur me Ligj.

“Ndërprerja e energjisë elektrike dhe mosfurnizimi me energji elektrike të familjeve të pamundura ekonomikisht përbën diskriminim.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka ndërmarrë disa veprime institucionale, me vendime, rekomandime dhe duke kryer studime të cilat theksojnë se energjia elektrike është shërbim thelbësor që duhet të garantohet për çdo person në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që për çdokënd të garantohet një jetesë dinjitoze.

Mosgarantimi i energjisë elektrike për personat dhe familjet e pamundura ekonomikisht cenon dinjitetin e tyre duke i mohuar të drejtën për shëndet, të drejtën për strehim, të drejtën për arsim, të drejtën për informim, të drejtën për të qenë qytetarë me të drejta të barabarta.

KMD i bën thirrje Këshillit të Ministrave që miratojë sa më shpejt “Statusin e Klientit në Nevojë” si një e drejtë tashmë e njohur me Ligj.

Gjithashtu, i bën thirrje OSHEE dhe të gjitha agjensive përbërëse të saj që të mos ndërpresin energji elektrike në asnjë moment dhe të garantojnë furnizimin me energji elektrike në çdo moment për të gjitha familjet e pamundura pa diskriminim“, shkruan KMD.

Një ditë më parë, ku një 66-vjeçarja e identifikuar si Liliana Sema është gjendur e vdekur nga i ftohti ka sjellë sot dhe reagimin e drejtorit të OSHEE në Fier, Arjan Fasko.

Lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Ferras të Fierit, Fasko ka thënë se kontrata për objektin ku banonte zonja ishte debitore.

Ndër të tjera sipas tij, në banesën në fjalë nga ana e punonjësve të OSHEE që lexojnë sahatin është raportuar se nuk jetonte njeri, ndërsa ka theksuar se nga ana e familjarëve nuk është bërë asnjë kërkesë për lidhje të energjisë në këtë periudhë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu