Elbasan/ Prisnin dhe vidhnin lëndë drusore në malet e Prrenjasit, arrestohen dy shtetas në pranga edhe inspektori

0

DVP Elbasan

Finalizohet pas një hetimi 3-mujor të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Cubic”, për goditjen e prerjes së paligjshme të pyjeve.

U kapën në flagrancë duke transportuar me kamion, lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme, vihen në pranga 2 shtetas.

Vihet në pranga dhe një inspektor pyjesh i bashkisë Prrenjas, për shpërdorim detyre, pasi e kishte prerë këtë lëndë drusore, në zonën që kishte në përgjegjësi.

Sekuestrohen automjeti dhe lënda drusore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, në kuadër të një hetimi 3-mujor të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për goditjen e një rasti të prerjes së paligjshme të druve dekorativë dhe frutorë, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cubic”, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të këtij rasti.

Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:

I. M., 59 vjeç, banues në Tiranë dhe Gj. M., 45 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, për veprat penale “Prerja e paligjshme e druve dekorativë dhe frutorë” dhe “Fshehja e të ardhurave”;

R. B., 35 vjeç, banues në Prrenjas, me detyrë inspektor pyjesh i bashkisë Prrenjas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në vendin e quajtur “Bregu i golit”, në fshatin Stranik, Prrenjas, shtetasit I. M. dhe Gj. M., duke transportuar me një kamion tip “Iveco”, 8m3 lëndë drusore, pa dokumentacionin përkatës.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi R. B., me detyrë inspektor pyjesh i bashkisë Prrenjas, ka shpërdoruar detyrën, duke u dhënë këtyre 2 shtetasve, lëndën drusore që e kishte prerë në mënyrë të paligjshme në zonën që ai ka patur në përgjegjësi.

Në cilesinë e provës materiale u sekuestrua automjeti, së bashku me lëndën drusore.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu