Elbasani nuk është vetëm djepi i dijes dhe qytetarisë, por edhe i atdhedashurisë dhe patriotizmit

0

 

Nga Suela Shuteriqi

Elbasani nuk është vetëm djepi i dijes, i qytetarisë, i vlerave njerëzore. Ky qytet i mrekullueshëm i ka dhuruar kësaj toke  gjakun, jetën, energjinë dhe rininë e bijëve më të mirë, të cilët kontribuan në luftën e madhe për liri përkrah aleancës së madhe botërore.

Në luftën e madhe dhanë kontributin e tyre edhe fëmijët. Madje disa nga dëshmoret sapo kishin lënë mbas ëndrrat e fëmijërisë ose u burrëruan para kohe.

Lëvizjet antifashiste në qytetin tonë e kishin djepin në bangat e të ndriturës Normale e Elbasanit. Ishin mësuesit e rinj ata që përveç dijeve u mëkonin nxënësve  edhe ide përparimtare, u mëkonin dashurinë për liri, për atdheun.

U mbushen plot 78 vite  nga dalja në mal për liri e 100 normalistëve. Ata u inkuadruan në çeta e batalione partizane të qarkut të Elbasanit. Është një ngjarje  në historinë e Luftës së Dytë Btërore jo vetëm në vendin tonë por në mbarë botën. Njëherazi kjo sigurisht nuk është  një ngjarje e rastësishme apo spontane. Do të përzgjidhja të citoja para jush fjalët e drejtorit të parë të kësaj shkolle,patriotit, atdhetarit, heroit të popullit Luigj Gurakuqi në ditën e parë të hapjes së kësaj shkolle më 1.12.1909

Elbasani sikurse asht mesi i Shqipnisë landore, ashtu do të jetë edhe mesi i Shqipnisë mendore…

këtu toska me gegën do të ntreten,do të përnjeshmohen….

këtu gjuha shqype do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkme.

Këndej do të dalin shqyptarë dhe vetëm shqyptarë.

Sigurisht mesazhet e përcjella atë  ditë ishin  objektivat e dala nga Kongresi i Elbasanit i mbajtur më 20-28 nëntor 1909 në Elbasan e më pas kur në 1910 në shkollë me ndihmën e ndërmjetësinë e patriotit Hasan Prishtina vijnë nxënës edhe nga Kosova në pritjen qe ju bë  anëtarëve të këtij Kongresi Luigj Gurakuqi ju tha ndërmjet të tjerave:

Këtu o djem të dashur nuk do të ushqehemi vetëm me mësime , dituri por do të përpiqemi të bahemi edhe burra të ndershëm e shqiptarë të flaktë.

E në këtë vatër të diturisë mësuan dhe u edukuan me ndjenjën e atdhetarisë të gjithë nxënësit e kësaj shkolle.

Një ndër nxënësit e parë të kësaj shkolle ka qenë dhe patrioti i shquar Avni Rustemi. Me respekt ne sot kujtojmë mësuesit e parë të kësaj shkolle, ata që vunë themelet e saj : drejtor Luigj Gurakuqi, mësues si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peçi, Petër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mezja, Dhimitër Paparisto,etj.

Kështu, shkolla po përparonte dhe po rritej në fushën e mësimdhënies e të nxënit por ne të njëjtën kohë ishte edhe një çerdhe e zjarrtë patriotike.

Në 1914 vullnetarë normalistë shkojnë për mbrojtjen e kufijve juglindore në qarkun e Korçës. Më pas banda muzikore Afërdita me pjesmarrës normalistë e mësues të normales manifestuan në rrugët e Vlorës së çliruar në gusht 1920 së bashku me 300 vullnetarë elbasanas dhe ekipin mjekësor të kryesuar nga doktor Petraq  Popa.

Shoqëria SAZAM e krijuar nga normalistët e vitit 1923 u bë mbështetje për lëvizjen antifeudale demokratike në Elbasan.

Mbi 50 normalistë të armatosur vihen në mbrojtje të revolucionit .Në këtë lëvizje u shquan profesorë të normales si Kristaq Çipo, Sali Çeka, Luigj Filaj, Ahmet Duhanxhiu etj.

Me kalimin e 10 vjeçarit të parë të fillimit të punës së Shkollës Normale  profesioni i mësuesit u bë i dashur dhe shumë i respektuar për dhjetra familje elbasanase që e admiruan dhe e trashëguan atë brez pas brezi, me të drejtë elbasanasit e quanin Normalen  shkolla jonë.

Në vitin 1923 -1924 hapi dyert e saj shkolla ushtrimore e cila u shndërrua shpejt në një vatër arsimore ku aplikoheshin e përhapeshin modelet bashkëkohore didaktike. Njëherazi shumë nga mësuesit e ushtrimores shquheshin për pikepamjet e tyre patriotike e progresive për kohën. Ata ndikuan bashkë me normalistët jo vetëm në fushën e mësimdhënies por aspironin së  bashku të kishin një Shqipëri demokratike. Gjatë kësaj periudhe në Shkollën Ushtrimore kanë punuar ndër të tjerë edhe mësuesit atdhetarë, patriot e revolucionarë Ali Myftiu, Ahmet Duhanxhiu, Gani Daiu, Qamil Guranjaku, Faik Pajuni   etj.

Pas viteve 30 Normalja e Elbasanit u bë një shkollë e organizuar mirë mbi baza e kritere të shëndosha shkencore e pedagogjike bashkëkohore.

Edhe pse në rrethana të vështira politike, historike Normalja e Elbasanit , përmes mësuesve patriot e nxënësve të saj mbajti gjallë idealin kombëtar dhe lidhjet shpirtërore të normalistëve që vinin nga brenda e jashtë kufijve shtetërorë. Aspiratat e tyre për liri e bashkim kombëtar spikatën dukshëm gjatë gjithë jetës së tyre shkollore e në mënyrë të veçantë gjatë luftës antifashiste nacional çlirimtare. Ideali i tyre u bë ideali i lirisë për shqiptarët.

Në 1934 Aleksandër Xhuvani shkruante:

Mësuesit e dalun prej normales nuk kanë dhënë vetëm dituri, por kanë zgjuar dhe ndjenjat kombëtare dhe predikuen vllaznimin e bashkimin e elementëve të kombit.

Dua të theksoj vlerat e mëdha që ka shembulli i mësuesve dhe i nxënësve të kësaj shkolle i cili vlen më shumë se një mijë fjalë që mund të thuhen.

Po përmend disa prej tyre pasi këta korifej të arsimit dhe të diturisë e liridashjes së Elbasanit janë të shumtë.

  • Aleksandër Xhuvani drejtor dhe mesues i shkolles normale.
  • Ptoleme Xhuvani dëshmor i atdheut.
  • Jolanda Xhuvani partizane në Brigadën 17 sulmuese, komisare e batalionit
  • Genc Xhuvani nje nga 100 normalistët që la bangën e librat dhe doli si sot 78 vite me parë me armë në dorë për liri.
  • Simon Shuteriqi delegat i Kongresit të Manastirit e Kongresit të Elbasanit. Sekretar i këtij kongresi e mësues në vitin e parë të kësaj shkolle. Djali i tij Pirro Shuteriqi deshmor i LANÇ.
  • Profesor Dhimitër Shuteriqi djali tjetër i tij me një aktivitet mjaft të gjerë revolucionar në Liceun e Korçës, partizan e komisar batalioni.
  • Sali Çeka në 1921-1922 mësues e drejtor i Normales. Pjesmarrës në revolucionin demokratiko borgjez të qershorit 1924, publicist, dëshmor i atdheut.
  • Kozma Naska normalist, hero i popullit. Komisar batalioni Brigada e 2 Sulmuese.
  • Qamil Guranjaku mësues në Shkollën Ushtrimore të Normales. Komisar i Brigadës 17 Sulmuese.
  • Ali Myftiu mësues i Ushtrimores dhe veprimtar aktiv i shquar i Luftës Nacional Çlirimtare.
  • Kahreman Ylli mësues i Ushtrimores, veprimtar i shquar i LANCI-t.
  • Petrit Hakani dhe Kadri Abdihoxha normalistë, lanë detyrën e mësuesit e dolën në mal për liri.
  • Baki Kongoli mësues i Normales, dy vëllezër dëshmorë si dhe nipin e shumë të tjerë.

 

Prandaj duhet të nderojmë ata që luftuan , ata të cilët ishin njerëzit më të kulturuar dhe me ide përparimtare.

Dëshmorët e këtij qyteti janë të shumtë. Ata janë nderi dhe krenaria jonë.Gjaku I tyre vaditi gonxhet e lirisë të cilat shpërthyen dhe lulëzuan jetën e brezave që vijnë.

Ata janë burim inspirimi për ne sepse na mësuan se NUK MUND TË JETOHET NËN PRANGAT DHE TERRORIN E TIRANISË, SE LIRIA ËSHTË e SHENJTË, AJO MBROHET ME GJAK.

Dhe së fundmi do të doja të shkruaja disa rreshta për bijtë e këtij qyteti, të cilët janë themeluesit e kulturës, shkencës dhe arsimit mbarkombëtar. Figurat më të shquara të kombit ishin ata elbasanas të rinj që para se të shndërroheshin në mjekë të shquar, shkrimtarë, ekonomistë, akademikë, ishin djem të rinj që morën armët në dorë dhe luftuan kundër okupatorit me ëndrrën e madhe në gji për një atdhe të lirë, të përparuar. Këta figura të shquara të popullit tonë, të cilët e kanë emrin të gdhendur me gërma të arta në panteonin e dijes, ne sot do t’i kujtojmë si ish partizanë.

Le të kujtojmë ata ish partizanë dhe ish aktivistë që kontribuan në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shkencor të qytetit tonë.

Në luftën nacional clirimtare janë rritur dhe formësuar me idealet më të lartapatriotike, qytetare bijtë më të mirë të qytetit tonë të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e artit kulturës shkencës shqiptare. Po ti hedhim një sy listës së ndritur të akademisë së shkencave shohim një krenari që dominancën e bëjnë emra të nderuar, bijve me të mirë të qytetit tonë.Pjesa më e madhe e tyre janë ish partizanë, aspiratat e ndritura të tyre gjatë luftës I materializuan në shkencë letërsi kulturë, art duke na bërë krenarë. Është domosdoshmëri përmendja e disa prej figurave të shquara të qytetit tonë.

Aleks Buda     Lindi në Elbasan më 7 shtator 1911 . Babai I tij ishte një ndër financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit.

Mori pjesë aktive ne LANÇ, ishte anëtar I këshillit antifashist nacional clirimtar të qarkut. Mbas çlirimit të vendit  u emërua kryetar i akademisë që vuri bazat e historiografisë shqipëtare.

Ka marrë një varg me tituj dhe dekorata: Mësues i Popullit, “Çmimin e Republikës të shkallës së parë”, etj., ndërsa Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar atë me “Medaljen e madhe të artë” (1990), medalja më e lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes (2002) me titullin “Qytetar Nderi”.

 

Xhaferr Kongoli lindi në Elbasan ,ish normalist. Studimet e larta i mbaron për mjekësi në Stamboll. Merr pjesë në lëvizjen e qershorit të vitit 1924 ku dhe burgoset. Në 1940 ai punon si mjek në Elbasan. Gjatë kësaj kohe kreu aktivitete prej antifashisti e patrioti. Mbas konferencës së Pezës ai u zgjodh kryetar I këshillit të parë antifashist  për elbasanin. Ndërkohë punoi shumë duke strehuar e mjekuar të plagosurit partisan.  Në fund të nëntorit 1943 ai arrestohet dhe pushkatohet.

Kol Paparisto,  Botanist I shquar, Profesor, akademik, Mesues I Popullit. Lindi në 1914 në qytetin e Elbasanit.Studimet e larta I kreu në fakultetin e shkencave në Paris. Ne vitet 1941-1943 punoi si mësues I shkencave Natyrore në shkollën normal të ëlbasanit. Në 1943 del del partisan dhe për një kohë të gjatë punoi pranë shtabit të përgjithshmëm te LANC.Në maj të vitit 1944 si delegate I elbasanit, motri pjesë në kongresin e Përmetit dhe zgjidhet anëtar I keshillit të përgjithshëm nacionalclirimtar.

Aleksandër Xhuvani   Personalitet I shquar I kulturës kombëtare I gjuhësisë dhe I arsimit Shqiptar, veprimtar politico-shoqëror, professor, mesues I popullit, Doktor I Shkencave.

Lindi në Elbasan.Mbas studimeve të larta në fakultetin e filologjisë në Athinë iu përgjigj thirrjes për të punuar mësues në shkollën Normale të Elbasanit.  E tërë familja e tij u përfshi në luftën antifashistë çlirimtare.

 

Petraq Popa       Mjek patolog, lindi në Elbasan. Të lartën e kreu në universitetin e Stambollit, Fakultetin e Mjekësisë. U kthye në Shqipëri më 1920 ku punoi si mjek gjatë gjithë jetës. Organizoi dhe drejtoi ekipin e parë sanitar shqiptar në ndihmë të luftëtarëve në luftën e Vlorës 1920. Në shtëpinë e tij u krijua qarkori i Rinisë dhe Bardhyli, i biri I tij qe sekretar i këtij qarkori si dhe dëshmor I atdheut.

 

Thoma Deljana lindi në 20  shkurt të  vitit 1920 ne lagjen “Kala” të Elbasanit.Shkollën e mesme e mbaroi në Normalen  e Elbasanit.Kur ishte vetëm 12 vjec, mori pjesë në demostraten kundër qeverisë zogiste, qe kishte vendosur të trasferonte Normalen nga Elbasani në Shkoder.Në moshen 18 vjeçare mori pjesë në Luftën kunder pushtueve fashiste. Në vitet e luftës bëri një jetë të dendur luftarake dhe politike.Shfaqet  ne Kongresin e Parë të Rinise Antifashiste në Helmes te Skraparit, ku edhe zgjidhet anëtar i Këshillit Qendror të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Pas çlirimit edhe pse në një moshë të re, i besohen detyra e pergjegjësi të mëdha, si në Komisionin e Planit te Shtetit, në aparatin e Komitetit Qendror etj. Në 1962 emërohet Ministër I Arsimit dhe Kultures.

Edhe pse Thoma Deljana u dënua nga diktatura gjatë regjimit të saj mbas tranzicionit ky njeri vazhdoi të ruajë vlerat e LANC-it dhe dha kontribute që këto vlera të mos përbalten dhe t’ju trasmetohen brezave të ardhshëm.

 Dhimitër S. Shuteriqi lindi në Elbasan në një familje patriotike dhe intelektuale. Babai i tij  Simon Shuteriqi kishte marrë pjesë në Kongresin Letrar të Manastirit (1908) dhe Kongresin e Elbasanit (1909), si dhe ishte një nga themeluesit e  Normales Elbasanit.

Shuteriqi e kreu shkollën e mesme në qytetin  e Korçës. Ai ka studiuar në Universitetin e Grenoble dhe Lionit në Francë . Studentët e Grenoblës së aso kohe e pritën me indinjatë pushtimin fashist. Ata u ngritën në një revoltë përpara bashkisë së Grenoblës me qëllim që të sensibilizonin opinionin për këtë padrejtësi që po i bëhej Shqipërisë. Sapo erdhi në Elbasan filloi si mësues në Shkollën Normale  dhe shumë shpejt u bë themeluesi i I institutit Pedagogjik dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Në kohën kur Elbasani ishte nën shtetrrethimin prej 72 orësh , përkatësisht në datë 26 qershor 1943,  Dhimitri kthehej nga Godoleshi ku kishte shkuar me punë. Duke kaluar mur më mur e motra i dha rrobat dhe së bashku me Ptoleme Xhuvanin u nisën në Shpat dhe që andej në Bërzezhdë të Librazhdit. Aty morën pjesë në betejën e Pojskës . Luftuan trimërisht  ku Ptoleme Xhuvani mbeti dëshmor i atdheut bashkë me 5 kuadro të batalionit të Dumresë si : SIRI KODRA, SPIRO GJIKNURI, ISUF LEKA, ALI ARAPI ETJ.

Më pas Dhimitër Shuteriqi caktohet Komisar i Batalionit të Bërzheskës dhe më vonë në shtator të 44 punon në shtypshkronjën ilegale në Stërstan të Shpatit .

Prof. Mahir Domi u lind më 12 mars 1915 në qytetin e Elbasanit, ku mori mësimet e para, për të vazhduar më tej studimet e mesme në Liceun e Korçës dhe studimet e larta për Filologji në Universitetin e Grënoblit në Francë. M. Domi u dallua për idetë demokratike antifashiste që gjatë Luftës II Botërore si student në Francë dhe si pjesëmarrës i lëvizjes nacionalçlirimtare në Shqipëri. Për këto ide ai u internua nga pushtuesit fashistë në Porto Romano. Pas mbarimit të Luftës ai e nisi udhën e tij të gjatë në shërbim të arsimit e të shkencës plot pasion e dashuri për t’i shërbyer atdheut e popullit të vet me tërë forcën e shpirtit e fuqitë e mendjes. Prof. M. Domi ka dhënë një kontribut të shquar në fushë të arsimit si drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit dhe si drejtues e pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Gjuhetar I shquar, anëtar I akademisë, Mësues i Popullit, PIRRO DODBIBA lindi ne Elbasan. Ka marre pjesë në Luftën antifashiste nacional çlirimtare. Ishte specialist I larte ne fushën e bujqesisë dhe me kontribute të shkëlqyera në fushen shkencore bujqësore. Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar të veteranëve të LANC-it. Ishte i pari që hodhi idenë e vazhdimësise për njohjen e vlerave të LANC-it dhe u pranua dhe nga shumë vende të botës.

 

Petrit Gaçe Lindi në 1928 në Elbasan. Ish Normalist.Që në moshë të re ishte pjesëmarrës aktiv në luftën ANC. Partizan në Brigadën e 17 dhe Përgjegjës Rinie në Batalionin 4.

Studimet e larta i kryen në Rusi në degën e mjekësisë. Ishte personalitet i shquar I  shkencës mjekësore shqiptare. Profesor, anëtar i Akademisë së Shkencave. Ishte ndër të parët që mori gradën “Kandidat i Shkencave Mjekësore”, në vitin 1966 mori titullin “Docent”dhe në vitin 1971 titullin “Profesor”.

Pëllum Plangarica  vinte nga një familje e mesme elbasanase, me kontribut të dukshëm patriotik.

Pëllumbi trashëgoi nga familja dëshirën për arsimim dhe kulturë, si dhe gatishmërinë për të qenë pranë të tjerëve në nevojë. Megjithëse i ati i vdes kur ai ishte në moshë të mitur, e ëma e dërgon në moshën 10-vjeçare të vazhdojë mësimet në Liceun Francez të Korçës. Njëherazi, Liceu ndikoi për formimin e të rinjve me ndjenjat e atdhedashurisë dhe qëndrimet ndër më përparimtaret të kohës. Të rinjtë elbasanas të shkolluar atje treguan  qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më tej se kishin vendosur bazat e një qytetarie në shërbim të vendit. Edhe Pëllumbi rreshtohet menjëherë në radhët e këtyre kontribuesve. Ai angazhohet qysh në vitin 1942 në Lëvizjen Antifashiste Nacional-Clirimtare, duke kryer njëherazi detyra të rëndësishme në zonën e Elbasanit, si organizator dhe drejtues në Qytetin e Elbasanit, në zonën e Përroit të Zaranikës dhe fshatrave përreth tij, në zonën e Labinotit dhe të Librazhdit etj. Vë në dispozicion të lëvizjes nacional-çlirimtare veten dhe pasurinë e tij.

Pas vitit 1944 merr përsipër detyra të ndryshme në drejtim të veprimtarive administrative, si nënkryetar i komitetit ekzekutiv të qytetit, drejtor i ndërmarrjes së bonifikimit, drejtues dhe ekonomist në ndërmarrjen e NSHN-së dhe Komunales e Banesave etj. Formimi solid intelektual, njohja e shkëlqyer e gjuhëve të huaja, leximi i vazhdueshëm dhe kontakti me literaturën bashkëkohore i mundësonte atij të prodhonte energji pozitive në ato vite të punëve të vrullshme për shërimin e plagëve të ekonomisë që shkaktoi Lufta.

Njerëzit me vlerë të këtij qyteti janë shumë e më shumë dhe kërkoj ndjesë që spo i përmënd të gjithë por ata janë e do të jenë në kujtesën e çdo elbasanasi.

Është shumë pak si kohë universale, vetëm 78 vite  në liri. Por për ne brezin e ri të viteve 2022 është nder dhe privilegj të kujtojmë historinë tonë, të dimë nga vijmë është detyrë për ne. Vetëm kështu vlerësojmë më mirë atë çka kemi: jetën e lirë, të mirat materiale, zhvillimin demokratik dhe mundësirat pa fund që na ofrohet sot. Mirënjohja është pak për ata njerëz që luftuan dhe punuan në shërbim të Atdheut dhe brezave. Mbi të gjitha brezi ynë ka detyrimin të ecë përpara në zhvillimin e pandalshëm, duke bërë gjithçka mundet për Atdheun tonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu