Emigrantët sollën 1.14 mld euro/ Të parët janë emigrantët në Itali, më pas në Britani dhe Gjermani

0

Vitet e fundit shqiptarët po emigrojnë veçanërisht drejt Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. E pikërisht prej këtyre dy vendeve dërgohet sasia më e madhe e parave të emigrantëve drejt Shqipërisë. Ndërkohë që Italia vazhdon të kryesojë renditjen e dërgesave hyrëse, pesha e Greqisë duket se ka rënë në dekadën e fundit, duke u renditur tashmë në vendin e katërt

Sipas të dhënave nga Eurostat, transfertat ose dërgesat personale drejt Shqipërisë në vitin 2021 arritën në 1.14 miliardë euro, në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë.

Eksperti dhe gazetari i ekonomisë, Gjergji Erebara, thotë se dërgimi i parave nga emigrantët do të zgjasë edhe për 1 dekadë tjetër.

“Është cikli i ri i emigrimit që filloi në vitin 2015-2016, ku shqiptarët po largohen drejt vendeve më të largëta dhe më të pasura dhe në mënyrë të vazhdueshme. Tashmë nuk kemi vetëm prindin që ikën me shpresën që do fitojë ca para dhe do të ndërtojë një shtëpi në Shqipëri. Por tani kemi familje të tëra, njerëz me gra dhe fëmijë që ikin të gjithë bashkë. Remitancat janë në fund të fundit një formë pensioni. Kur skema kombëtare e pensioneve ka dështuar dhe jep pensione qesharake, fëmijët që shkojnë në emigrim detyrohen ta plotësojnë këtë pensionin shqiptar me një të ardhur shtesë për prindërit. Dërgimi i parave nga emigrantët besoj se do të zgjasë për 1 dekadë. Në momentin që prindërit ndërrojnë jetë, dhe ky është një cikël natyror, fëmijët që janë emigrant nuk kanë më lidhje me vendin dhe nuk sjellin më të ardhura. Greqia renditet e 4 pas Italisë, Britanisë dhe Gjermanisë, pasi ky vend ka kaluar një krizë shumë të madhe dhe nuk është më vend aq i pasur sa këto të tjerat. Së dyti emigrantët që kanë shkuar në Greqi janë nga gjenerata e parë e shqiptarëve. Ata kanë tashme 30 vjet në Greqi dhe rrjedhimisht i kanë humbur kontaktet me Shqipërinë. Nuk kanë më prindër të gjallë në Shqipëri për t’u dërguar pension“- shprehet eksperti i ekonomisë, Gjergji Erebara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu