ERE miraton çmimin e energjisë për fashën përtej 800KWh. Kush e kalon paguan 4 fish e gjysmë më shumë

0

TIRANË- Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar propozimin e Furnizuesit të shërbimit universal për aplikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumin mbi 800 Kw/h për abonentët familjarë.

Nga 1 tetori deri në 31 dhjetor, familjet që do shpenzojnë mbi 800 Kw/h në muaj do faturohen me 42 lekë për kilovat.

“Bazuar në nevojën për të ardhura për shkak te rritjes se kostos së energjisë vlerësojmë se çmimi te jete 42 lekë për kë/h për konsumin familjar mbi 800 kë/h në muaj rikuperon koston e blerjes së energjisë duke siguruar likuiditet të nevojshëm për FSHU, për garantimin e furnizimit me energji elektrike. Bëhet e nevojshme që periudha e leximit periodik të matësit duhet të kryhet duke respektuar afatin prej 30 ditë kalendarike për klientët fundorë, me qëllim mbrojtjen e çdo klienti familjar nga çdo keq faturim i mundshëm. Për gjithë sa më sipër, kërkojmë miratimin e çmimit 42 lekë për kë/h orë për konsumin mbi 800 Kw/h”, tha më herët në mbledhje përfaqësuesi i FSHU.

“Nga 1 tetori, “800 Kw/h do faturohej me 9.5 lekë Kw/h që jep një kosto 7600 lekë. 50 Kw’h orë mbi konsumin 800 Kw/h do llogaritej me koston 42 lekë dhe jep 2100 lekë. Plus TVSH mbi këto dy kosto, 1940 lekë, plus taksa e televizorit 100 lekë. Totali 11740 lekë”, sipas një nga ekspertëve në Bordin e ERE-s.

Nga ana tjetër deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila ishte e pranishme në mbledhjen e Entit Rregullator të Energjisë duke folur jashtë ambienteve të ERE për mediat u shpreh se kjo është e pajustifikueshme pasi sipas saj qeveria nuk ka rritur pagat ndërkohë që shpenzimet për qytetarët shtohen.

Tabaku u shpreh se qeveria duhet të marrë parasysh interesin publik të konsumatorëve dhe qytetarëve shqiptarë.

“Janë disa elementë që kërkuam që bordi të marrë parasysh. Qeveria e bën fakt të kryer rritjen e çmimit. Çmimi nuk e justifikon sepse 40% blihet nga jashtë, por 60% e prodhojmë brenda vendit. Duhet marrë parasysh interesi publik i konsumatorëve dhe i qytetarëve shqiptarë. Është një rritje çmimesh që ka ndodhur në periudha të ndryshme që ka sjellë një rritje të varfërisë, kjo gjë po reflektohet çdo ditë”, tha Tabaku

Enti Rregullator i Energjisë u mblodh ditën e sotme në një mbledhje të Bordit Drejtues ku u vendos dhe miratimi i vendosjes së fashës me çmim të ri për të gjitha ato familje që konsumojnë më shumë se 800 kë. Sipas fashës së re ata që do të shpenzojnë mbi këtë fashë do të faturen me 42 lekë Kw. Kryeministri Edi Rama ka thënë më herët se kjo fashë mund të hiqet në muajin në janar në varësi dhe të situatës elektro-energjetike në vend.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu