Për motin e keq që ka kapluar vendin dhe përmbytjet e mëdha ka reaguar edhe ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka bërë më dije se situata pritet të përmirësohet.
Peleshi ka bërë një paraqitje të situatës me përmbytjet në vend dhe ka thënë se situata më problematike ka qenë në urën e Mifolit. Ai tha nga Vlora se niveli i ujit ka rënë me 50 centimetër dhe se më e keqja ka kaluar. Peleshi tha se deri nesër pritet një ulje deri në 1 metër e nivelit të ujit. Ai ka bërë me dije se 30 familje janë evakuuar. Ndërkohë ai bëri të ditur se nuk ka asnjë rrugë nacionale të bllokuar dhe ka thënë se jeta e njerëzve është pririoritet para gjësë së gjallë.
“Ura e Mifolit ka patur situatën më kritike, Vjosa ka shkaktuar përmbytje qindra hektarë në zonën e Fierit dhe Vlorës, por le të themi është shmangur më e keqja krahasuar me skenarët e viteve të kaluar, ku prurjet nuk kanë qenë në këto nivele. Flasim për qindra dhe jo mijëra hektarë të përmbytura sikurse ka qenë fundit i vitit 2017. 30 familje janë evakuar. Në raste emergjencash kemi të parën jetën e njeriut pastaj gjënë e gjallë. Kemi bërë maksimumin dhe nuk kemi bilance dramatike”, u shpreh Peleshi.