Gazetari Blendi Fevziu zhvilloi një lidhje të drejtpërdrejtë me Skype me një ushtar i cili po patrullonte në rrugët e Kievit. Anton Ivko tha se ndodhej në periferi të Kievit. Ai u shpreh se forcat ruse janë duke vendosur artilerinë pranë vendeve ku mund të godasin periferinë e Kievit.
“Ata janë duke goditur civilët që janë në periferi të Kievit”, tha ai.
Ushtari ukrainas sqaroi se Kievi nuk është i rrethuar dhe është duke u furnizuar me ushqime dhe ujë. “Gjysma e njerëzve janë larguar nga Kievi. Janë 2 mln njerëz këtu dhe ka mjaftueshëm ushqim dhe ujë kemi bollshëm po ashtu”, u shpreh ai.
Ivko u shpreh se do të qëndrojë në patrullim gjatë natës për shkak se ka informacione që grupet ruse mund të vijnë drejt Kievit. Ushtari tha se ndodhet aty për të ruajtur një objekt të rëndësisë së lartë. Sipas asaj që tha ai, ka informacione që ruset kanë marrë pozicione taktike gjatë ditës për të përgatitur një sulm strategjik. Ajo që i ka bërë forcat ukrainase të dyshojnë më shumë është fakti që Rusia nuk ka ndërmarrë asnjë sulm gjatë ditës.
“Do të qëndroj në patrullim gjatë gjithë natës. Ka një mesazh që grupet ruse do të vijnë drejt Kievit. Kemi marrë një lajm se do të na sulmojnë. Kemi një objekt të rëndësisë kritike dhe jemi duke u kujdesur për të.
Ata marrin pozicione taktike gjatë ditës, nuk kishte sulme dhe kjo ishte diçka që na bëri të na dyshojmë. Nuk u përpoqën që të na sulmojnë dhe të ecin përpara. Ndoshta kanë ndaluar për t’u përgatitur për të bërë një sulm strategjik. Jemi duke u përgatitur tanimë”, tha Ivko.
Ushtari tregoi më tej se në Kiev ka grupe sabotatorësh. “Duke marrë parasysh që morali i forcave ruse është i ulët, ata kanë pësuar humbje të mëdha, shumë prej tyre janë duke dezertuar dhe po braktisin luftën”, u shpreh ai.
Ivko tha se njerëzit në Ukrainë janë të vendosur që të qëndrojnë deri në fund. “Askush nuk ka për t’u tërhequr. Do të luftojmë deri në fund, deri në fitore”, u shpreh ai.
Ushtari ukrainas tregoi për “Opinion” se nuk ka takuar të huaj që marrin pjesë në luftën ndaj Rusisë, por u shpreh se ka dëgjuar që të ketë të tillë në njësi të tjera.