Fushata zgjedhore në Shqipëri, VOA: Gazetarët të izoluar, presionet politike ndaj medias

0

TIRANË- Në Shqipëri, gazetarë të terrenit, që pasqyrojnë veprimtaritë politike shprehën sot shqetësim për shkeljet e etikës në media dhe mbulimin e fushatave zgjedhore me video të gatshme nga partitë. Ata pohuan se kandidatët partiakë janë izoluar nga mediat dhe këto të fundit detyrohen që të transmetojnë materialet audio-vizive të parapërgatitura nga partitë dhe shtabet e fushatës.

Gazetarë të jetës politike në Shqipëri u bashkuan sot përreth një tryeze me organizatën “Demokracia në Fokus” dhe Fondancionin Konrad Adenauer me shqetësimin e përbashkët se presionet e politikës po i detyrojnë mediat që të shkelin rregullat e etikës së profesionit, dhe të transmetojnë materiale propagandistike të parapërgatitura nga partitë.

Ata pohuan se zhvillimi tej mase i rrjeteve sociale dhe mediave online ka nxjerrë jashtë përdorimit kuadrin ligjor të deritanishëm dhe sipas tyre, kjo pjesë duhet rindërtuar plotësisht në dobi të etikës së medias.

Merita Haklaj, një nga gazetaret me përvojë në raportimin e jetës politike të vendit thotë se veprimtaritë e fushatës nuk janë më me intensitetin e dikurshëm të tubimeve nga mëngjesi deri në darkë, por është fuqizuar intensiteti i pasqyrimit të tyre në mediat online.

“Kufizimi kryesor i gazetarëve vazhdon të mbetet ndjekja e aktiviteteve përmes sinjaleve me regji qendrore dhe atyre që vet partitë politike dërgojnë nëpër redaksi, jo më me kaseta si dikur, tani me linket elektronike, por njëlloj është problem. Praktikisht gazetarët rrinë para një kompjuteri në redaksi dhe numërojnë aktivitetet elektorale dhe matin minutazhet përkatëse. Kështu humbet ajo që duhet të ishte përkujdesja kryesore e një gazetari në fushatë: mesazhet e politikës, platforma e kandidatëve dhe drejtuesve partiakë”, thotë zonja Haklaj, reportere në Tv A2 CNN.

Një tjetër reporter me përvojë i ngjarjeve politike, Ergys Gjençaj, thotë se ka shumë vite që mediat transmetojnë kasetat e gatshme të edituara nga zyrat e partive, ndërsa sot vijnë linket e gatshme, një shqetësim që u ngrit dje edhe në deklaratën e fundt të OSBE/ODIHR. Kjo shkelje e etikës buron nga vet ligji zgjedhor, thotë ai.

“Mediat përballen edhe me trysninë e politikës, e cila vjen bashkë me materialet e gatshme, si edhe përmes moslejimit të mediave për të ndjekur fushatën elektorale, me gjithë tubimet e veta, atje ku ato zhvhillohen. Misioni i mediave është së pari që të ruajnë integritetin e vet, pavarësisht gjithë këtyre presioneve. Nga ana tjetër, mediat dhe gazetarët respektojnë Kodin Zgjedhor dhe ligjin. Në momentin që në ligj është e sanksionuar se mediat duhet të pranojnë këto materiale të gatshme nga partitë politike, atëherë çfarë duhet të bëjnë gazetarët?! Në momentin kur ne ndalohemi të shkojmë e të ndjekim lajmin atje, ku ai zhvillohet, atëherë puna me etikë gazetareske bëhet gati e pamundur, dhe ky është një minus i madh për mediat”, thotë zoti Gjençaj, reporter në Tv News24.

Vështirësitë dhe presionet e shumta politike i kanë shtyrë gazetarët që të bashkohen në Qendrën “Demokracia në Fokus”, ku të diskutojnë mbi raportimin e rregullt gjatë fushatës zgjedhore, në mënyrë që mediat të mbrojnë integritetin e tyre profesional.

Një nga nismëtarët e qendrës, gazetari Everest Dedaj, thotë se tashmë është bërë rutinë që mediat përdorin videot dhe mesazhet e edituara nga partitë politike, madje transmetojnë si tubime me shenjën drejtpërdrejt veprimtari, që janë filmuar disa ditë më pare.

“Ajo që vihet re në masë është një mesazh i centralizuar, i cili vjen i edituar nga shtabet elektorale të kandidatëve në Tiranë dhe unifikuar në të gjithë Shqipërinë. Qytetarët nuk po arrjinë të njihen realisht me kandidatët dhe cilësitë e tyre të vërteta, dhe kjo vjen se media kthehet nga një mjet i hulumtimit dhe ndjekjes së fushatës reale në dobi të qytetarëve, në një transmetuese e një mesazhi të koncentruar dhe të shndërruar në propagandë, që vjen I gatshëm nga shtabet elektorale të kandidatëve”, thotë zoti Dedaj.

Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE / ODIHR publikoi dje Raportin e Parë të Ndërmjetën ku renditen një sërë çështjesh si dy raste të dhunës gjatë fushatës elektorale, polarizimin e mjedisit politik, mungesën fokusit te platformat apo programet nga ana e kandidatëve.

Marrë nga VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu