Teksa “ethet” e Europianit afrohen, Kombëtarja shqiptare e futbollit është grumbulluar për fazën përgatitore.
Djemtë “kuqezi” do të përballen të premten, më 22 mars me kombëtaren e Kilit në Parma të Italisë, dhe duket se atmosfera brenda ekipit është ajo e duhura. Në llogarinë e FSHF është postuar një video, ku tre futbollistët Nedim Bajrami, Taulant Seferi dhe Ylber Ramadani shfaqen duke kërcyer nën rritmet e këngës popullore shqiptare “O i lume une”.
Duket se edhe kombëtarja e futbollit është përfshirë nga emocionet e spektaklit më të madh dhe më të ndjekur në vend, “Big Brother VIP”, teksa si përshkrim për videon shkruhet:
“Gjejeni pak kush e kapi ‘prime’-in sot”, referuar spektaklit dhe shprehjes së përdorur nga ish-banorja Sara Gjordeni.
FSHF nga ana tjetër, shprehet se “prime” ka edhe të premten këtë javë, duke rikujtuar ndeshjen në orën 20:45.