Gruaja rrëfen si punohet brenda fermës së kanabisit: Nuk komunikonim me familjen por na pëlqente leku

0

“Për gratë ishte shumë e vështirë të punojë në ferma kanabis, pasi duhet të flije në sera”. Kështu e nis rrëfimin një grua, e cila 7 vite më parë ka punuar në një punishte ku kultivohej lënda narkotike. Teksa rrëfen eksperiencën e saj, gruaja shprehet se duhet të qëndronin pa komunikuar me familjen. Ajo thotë se poseduesit e lëndës narkotike flisnin me kode, por që kishin informacionin kur mund të vinte për kontrolle policia.

Gruaja theksoi se kur kishte indicie për kontrolle, ato e fshihnin lëndën narkotike në pyll, madje atje fshiheshin dhe vetë për t’i shpëtuar uniformave blu.

“Ata flisnin me kode, s’është se merrnim vesh shumë. Ne e kuptonim, na thoshin kur do vinte policia dhe e hiqnim mallin e çonim në pyll.

Atje ku kam parë unë, kanabisi mbillej shumë larg në pyll. Zona të thella, ku vinin deri në një farë pike me makina dhe pastaj me këmbë. Zona ku nuk shkonte dot makina. Kur na lajmëronin ne, ne fshiheshim në pyll ose kush kishte mundësi kthehej në shtëpi.

Punën shumë e vështirë për gratë, të iki gruaja nga fëmijët dhe të flerë në serë dhe të mos ketë komunikim me familjet është shumë e vështirë. Ne nuk e kishim këtë problem pasi në darkë flinim në shtëpi, për gratë nga rrethet ishte e vështirë. Por për të fjetur njerëzit filluan të hapnin shtëpitë dhe të mbanin gratë që vinin nga larg”, tha gruaja për Euronews Albania.

PAGESA

Ajo u shpreh se paguhej 1500 lekë për përpunimin e 1 kg kanabis, teksa shtoi se u detyrua ta bënte një punë të tillë, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

“Gjendja ekonomike, gjendja financiare. Lamë shtëpinë, fëmijët, na detyronte halli. Brenda ishim të ngujuara, me familjarët flisnim në telefon në darkë, jo gjatë orarit të punës. Bëhet fjalë për vitin 2016, në fakt në zonën tonë nuk ishte mbjellë kurrë dhe nuk njihej se çfarë ishte. Na e mësuan si përpunohet, si qethet, si rregullohet, çfarë forme duhet të vinte boçja. E fusnim në qese që e peshonim.

Pastaj ata e hidhin vetë në thasë dhe nuk e di se ku e dërgonin. U detyruam të shkonim të punonim për lekë. Pa punë unë, burri, djali, u detyruam. Skamje, gjendje ekonomike. Paguheshim 1500 lekë për 1 kg kanabis, kur bënim 2 kg 3000 lekë. Nuk bëheshin kollaj 2 kg, ishte e vështirë. Punuam 2 muaj, shtator deri në fund të nëntorit. Në jug. Me orar të zgjatur punonim, me kushte të vështira, ftohtë ishte. Në kasolle punonim. Që punonim bashkë ishim 10, por ishin pafund”, theksoi ajo ndër të tjera.

Sipas saj gratë merreshin vetëm me pjesën e pastrimit të kanabisit dhe paketimin e tij.

“Ishin pafund vajza dhe gra. Familjare të cilat punonin për bukën e gojës. Ishin gra të fshatit, por vinin me furgona dhe nga larg nga Elbasani. Hanim dhe pinim nga xhepi jonë nuk na i paguante njeri.

Ne ishim te hallka e pastrimit. E pastronim e hidhnim nëpër qese, kjo ishte puna jonë. E sillnin të tjerët me thasë ne e zgjidhnim dhe e rregullonim. Ishte mbjellë në zonat përreth, thahej aty dhe më pas na e sillnin ne ta pastronim. Unë me të dëgjuar u lidha me këto persona. Fjalë pas fjale. Me telefonata, gjetëm punën dhe shkuam. Me të dëgjuar që paguhej 15 mijë ne na u duk si shumë. Pastaj kur iu futëm asaj pune s’iknim dot më se na pëlqente dhe leku. Por puna ishte e vështirë, sidomos era e asaj”, tha gruaja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu