Hapet tregu i grurit dhe i misrit
Ministrat e Bujqësisë rikonfirmojnë marrëveshjen Open Balkan për tregtinë e lirë të mallrave. Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ndodhet në një vizitë zyrtare në Beograd lidhur me garantimin e funksionimit të tregjeve ushqimore në rajonin tonë. Ministrja Krifca dhe ministri serb i bujqësisë, Branislav Nedimovic, kanë konfirmuar hapjen e tregut dhe lëvizjen e lirë të grurit dhe misrit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Në kuadër të marrëveshjes Open Balkan, pavarësisht se për tregjet e tjera ndërkombëtare mund të jenë mbyllur, gruri dhe misri nga Serbia do të lëvizin lirisht në drejtim të tregut dhe konsumatorit shqiptar.
“Në një takim me ministrin Nedimovic në Beograd patëm mundësinë të diskutojmë edhe njëherë marrëveshjen e Ballkanit të Hapur edhe në kushte në të cilat gjendemi tani dhe për të siguruar që kjo marrëveshje funksionon. Kontratat e lidhura tashmë për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme përfshirë atë të misrit apo të grurit do të vijojnë normalisht. Ne garantuam njëri- tjetrin për një bashkëveprim dhe bashkërendim institucional të mirëkuptuar dhe është shumë e rëndësishme që kompanitë shqiptare do të kenë mundësi që kësaj jave do të mund të vijojnë biznesin e tyre normalisht për importet e grurit dhe misit. Ky është një shembull i mënyrës se si marrëveshja e Ballkanit të Hapur krijon lehtësira edhe në periudha shumë të vështira, për arsye të luftës”, tha ministrja Krifca.
Vizita dhe takimi mes dy ministrave për garantimin e funksionimit të marrëveshjes Open Balkan, veçanërisht për tregtinë e lirë të mallrave ushqimorë, vjen në një moment të vështirë për tregjet të cilat janë bllokuar nga lufta në Ukrainë.