I pezulluar nga Basha, Bumçi: Nuk ka asnjë forcë dhe tagër për të marrë vendime. Kriza zgjidhej me…

0

I pezulluar nga kryesia e Lulzim Bashës, Aldo Bumçi në një lidhje telefonike për Fax News, tha se nuk e njeh një vendim të tillë. Sipas Bumçit, vendimi i Bashës për ta mbrojtur selinë e PD-së me policinë e Edi Ramës, do të shënonte dhe fundin e pluralizmit politik në Shqipëri.

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së tha më tej se Basha nuk ka as forcën dhe as tagrin që të vendosë se kush do të përjashtohet apo pezullohet nga partia, sa kohë që Kuvendi i datës 11 Dhjetor e ka shkarkuar nga funksioni.

“Ky është fundi i pluralizmit në Shqipëri, nëse kryetari i opozitës mbron godinën me polici nuk ka më demokraci. Përballë ka një opozitë të vërtetë, që mbushi stadiumin, referendumi, protestat.

Nuk pres unë që të njoftohem nga askush, nuk i njoh ata që kanë marrë këtë vendim. Keni parë ju që Lulzim Basha të dalë dhe të takojë njerëzit, ai nuk ka më asnjë lidhje me demokratët. Ai me policinë e Edi Ramës mban një zyrë, mban një godinë, dhe thotë unë jam opozita.

Për fat kjo nuk ndodhi, pasi ne u çuam në këmbë.

Ai nuk ka forcën dhe tagrin që të vendosë se kush do të përjashtohet. Keni parë ju kryetarë partie që nuk njeh kryetarët e degëve, e dini ju se cili ishte çmimi që duhet të paguante Lulzim Basha, ishte që të votëbesohej. Ishte më e rëndë për të që të vetëbesohej, sesa të bënte këtë rrëmujë.

Iu suli Policinë e Shtetit demokratëve, janë 12 të plagosur që morën mjekim në spital, asnjë i lënduar nga ata brenda godinës, apo nga policia e rendit, dhe shumë mirë që nuk ndodhi, sepse nuk ishte qëllimi ynë. Me një votëbesim të thjeshtë mund të zgjidhej kjo krizë në PD.

Demokratët ia kanë hequr atyre çfarëdolloj përfaqësimi”, u shpreh Bumçi në Fax News.

Më herët të njëjtin qëndrim mbajti dhe i pezulluari tjetër Tritan Shehu, i cili e quajti qesharak vendimin e Bashës.

Këto janë reagimet e para nga Komisioni për Rithemelimin e PD-së, pas vendimit të Kryesisë së drejtuar nga Basha për përjashtimin dhe pezullimin e tyre nga partia, vendim i marrë rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu