I qëllon me levë makinën për një parakalim, denoncuesit tërhiqen pas ndërhyrjes së një miku

0

Pasi i kanë bërë me drita mjetit para tyre që të hapte rrugën, duke qenë me shpejtësi, shoferi ka ndaluar makinën. Ai madje ka nxjerrë një levë dhe pasi është përpjekur që t’i qëllojë të dy me sende të forta, kur nuk ka mundur dot, atëherë ka goditur me sa ka mundur automjetin, duke i shkatërruar parakolpin.

Një shtetase që është biznesmene dhe shoferi i saj personal, u ankuan në Policinë e Vorës për një incident që iu ndodhi gjatë qarkullimit me mjet përgjatë aksit Tiranë-Durrës.

Siç bëjnë me dije burimet e sigurta të Gazetasi.al pranë policisë, gruaja e moshës 33-vjeçe me inicialet S.L., u paraqit në komisariatin që mbulon zonën ku ndodhi konflikti dhe kërkoi hetime prej agjentëve. As më pak dhe as më shumë, por ajo që i ndodhi asaj, teksa po udhëtonte si pasagjere, ka lidhje me një sherr në dukje parakalim automjetesh.

Pasi i kanë bërë me drita mjetit para tyre që të hapte rrugën, duke qenë me shpejtësi, shoferi ka ndaluar makinën. Ai madje ka nxjerrë një levë dhe pasi është përpjekur që t’i qëllojë të dy me sende të forta, kur nuk ka mundur dot, atëherë ka goditur me sa ka mundur automjetin, duke i shkatërruar parakolpin.

Ngjarja e çuditshme që klasifikohet nga Policia e Tiranës si kanosje dhe shkatërrim prone, vijon të jetë nën hetim. Por pasi ka marrë dy dëshmitë e të dëmtuarve, policia i thotë në rrugë anonime Gazetasi.al se denoncuesit u paraqitën për herë të dytë dhe kërkuan që agjentët mos ta arrestonin të dyshuarin, duke qenë se u kishte hyrë mik një i afërm i tij.

Megjithatë, policia pretendon se pasi të përcaktojë dëmet e makinës së shkatërruar me levën e hekurit, do konsiderojë edhe pamjet e sigurisë për të verifikuar nëse vërtet bëhet fjalë për një mosmarrëveshje shoferësh, apo ka diçka të mbartur midis palëve që duhet sqaruar pranë autoriteteve.

“Po qarkulloja me shoferin personal me mjetin ‘Mercedez Benz’, ishte ora 10 ose 11  dhe kur ishim në afërsi të një karburanti në autostradë, pranë fshatit Marikaj, para nesh gjendej një makinë po ashtu tip ‘Benz’”.

Kështu e nis rrëfimin gruaja, e cila administron një biznes dhe që në fillim para policisë së Vorës, ishte së tepërmi e shqetësuar për jetën e saj dhe të shoferit. Ndërkohë, policia i bën me dije Gazetasi.al detaje të tjera. “I bëmë me sinjale mjetit para nesh të hapte krahun, por ai frenoi për të shkaktuar aksident. Shoferi im manovroi në moment dhe hapi krahun, duke ndaluar mjetin në autostradë. Shoferi im i tha drejtuesit tjetër: ‘Çfarë bën, se na bëre copa’”.

Por sipas përshkrimit edhe të zonjës dhe të shoferit të saj, nga makina ka dalë një i panjohur me shufër hekuri në dorë. Ai dukej i qetë.

“Ai tentoi të na gjuajë, ne mbajtëm mbyllur derën e makinës, që mos të krijohej konflikt i rëndë. Shoferi tjetër goditi mjetin tonë nga mbrapa me levë, e goditi me shkelma”.

Të alarmuar të dy kanë tentuar të ndezin mjetin dhe të largohen me shpejtësi. Por i panjohuri i ka ndjekur pas, duke i parakaluar dhe duke i goditur me makinë nga pas.

“Frenuam dhe s’dinim si të vepronim. Ai doli sërish nga makina dhe goditi me levë makinën tonë. Dukej sikur qëllimi i tij ishte të qëllonte me levë mua dhe shoferin tim”.

Dëshmitari tjetër kujton në polici

“I thamë, zotëri çfarë po bën? Ai jo vetëm po na ofendonte dhe shante, por  tha: ‘Prisni sa të marr armën e t’ju shkatërroj fare’”.

Të dy janë larguar me shpejtësi, duke përfunduar në komisariat dhe duke kërkuar ndihmë. Policia i thotë Gazetasi.al se i pyeti denoncuesit nëse e njihnin shtetasin në fjalë, por ata kanë thënë: “Jo, nuk e njohim dhe nuk kemi konflikte me askënd”.

E njëjta situatë përshkruhet edhe nga shoferi personal i biznesmenes. Policia i tha Gazetasi.al në rrugë jo zyrtare, se pak orë pas këtij incidenti, “çifti” i kallëzuesve është paraqitur prapë në polici.

“Jemi këtu për të tërhequr denoncimin dhe nuk duam hetim dhe as arrestim”, – kanë këmbëngulur ata.

Sipas tyre, kërcënuesi dhe njeriu i çuditshëm ishte i afërt i disa miqve të tyre që u kanë kërkuar nder që mos ta procedonin.

“Na dërgoi një mik dhe ky person na kërkoi falje përmes tij. Ne ramë dakord që mos  të merremi me të”, – thotë edhe gruaja, edhe shoferi i saj.

Nga këqyrja e mjetit të shkatërruar, policia ka administruar detaje të dëmtimeve të shkaktuara nga leva e hekurit. Midis tyre, parakolpi, sinjali i anës së djathtë, parafango dhe xhamat. Policia thotë për Gazetasi.al se në mjet kishte po ashtu gjurmë këpucësh të të dyshuarit që e ka gjuajtur po ashtu “Benz”-in edhe me këmbë.

“Nga dera e parë e mjetit, vihet re se xhami i derës është thyer plotësisht me gropëzime në pozicion horizontal dhe ka dëmtime të kornizës së xhamit”, – përshkruan në proces-verbal njëri nga agjentët e hetimit të krimeve.

Çfarë thotë i dyshuari tjetër

Megjithatë, pas tërheqjes së denoncimit të çuditshëm, duket se si policia ka arritur ta gjejë adresën dhe po ashtu të identifikojë personin e dyshuar.

Por pa e arrestuar atë, por duke e proceduar në gjendje të lirë për dy vepra të rënda penale. Një agjent, shkruan dëshminë e shtetasit S.P., që shpjegon se çdo gjë ishte një keqkuptim.

“Më bënë me drita të gjata një shofer djalë i ri dhe një pasagjere, grua e ulur në vendin e parë. Më pas ata më parakaluan në krahun e kundërt dhe më shanë. Hapa krahun dhe doja të kuptoja çfarë bënin, ata më zunë derën e s’më lanë të dal. Më shanë dhe në këtë gjendje dola nga krahu i pasagjerit, kappa levën e hekurit se s’po kuptoja çfarë po ndodhte dhe në gjaknxehtësi e sipër, është e vërtetë e kam goditur makinën. Por ngaqë isha vonë për në punë, u largova me shpejtësi se nuk doja të vonohesha”.

Ai kujton se më pas, kur kreu një hetim personal, pasi kërkoi të zbulonte cilët ishin këta persona që i shkaktuan incidentin, zbuloi se gruaja ishte lidhje familjare dhe miqësore me të.

“Nuk është aspak e vërtetë që i kam kërcënuar këta persona. U kam kërkuar falje të dyve dhe i kam normalizuar marrëdhëniet me ta”, – mësohet se ka thënë i dyshuari pranë Policisë së Vorës

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu