Ish-dhjetoristi: Çfarë i kërkova Bashës para zgjedhjeve, me fitoren e PD do të bëhet gjyqi për komunizmin

0

Ish-studenti i Lëvizjes së Dhjetorit, Agim Baçi, zbuloi gjatë aktivitetit të zhvilluar sot në përkujtim të 31-vjetorit të “8 Dhjetorit” se çfarë i ka kërkuar kryedemokratit Lulzim Basha para zgjedhjeve të prillit.

Në mesazhin e tij për Ditën e Rinisë, Baçi theksoi se ka kërkuar që të shkohej drejt një pike që të kishim gjyq për komunizmin. Sipas tij, me fitoren e PD ky gjyq do të bëhet, pasi kjo shoqëria ka nevojë ta saktësojë të shkuarën kriminale që kemi pasur.

“Në këto vite, një nga shqetësimet më të mëdha publike që kam pasur, ka qenë çështja e njohjes së të shkuarës. Madje edhe angazhimi me Bashën para zgjedhjeve ishte që ne të shkonim drejt një pike që të kishim një gjyq për komunizmin, që në fund fare shoqëria shqiptare ta kishte të qartë: një gjyq që ta konsideronim vërtet, të errët dhe kriminale, të shkuarën. As individi, as shoqëria, nuk janë vetëm ajo që jemi, jemi ajo që kemi qenë dhe ajo që duam të jemi.

Por a e dimë ne vërtet se cilët kemi qenë? Në fakt shoqëria shqiptare në këto 30 vite, pavarësisht se kanë kaluar kaq shumë, ende e ka të shkuarën të pazbardhur dhe jemi ndoshta ndër të vetmit vende që kemi kaluar atë regjim gjakatar, ndër më gjakatarët, dhe nuk kemi as të penduar, as nga ato që falin. Në mënyrë paradoksale, ende kemi njerëz që kërkojnë eshtrat e të zhdukurve, ndërkohë që kemi njerëz që duan të ngjallin diktatorin, pikërisht për këtë shkak, se ne dështuam të zbardhim të shkuarën tonë.

Kjo është përgjegjësia jonë ndaj këtij brezi, që nuk e pati në kurriz atë regjim aq gjakatar, që nuk ja zbardhëm dot. Sot jemi borxhlinj, kemi dështuar në këtë pikë. Ëndrra ime kjo ishte, të bënim një gjyq për komunizmin dhe të rishikonim tekstet shkollore, të futeshin ato libra që tregojnë të shkuarën. Besoj se me fitoren e PD ky gjyq do të bëhet, madje sot PD duhet të këmbëngulë që ky gjyq të bëhet, sepse kjo shoqëria ka nevojë ta saktësojë të shkuarën kriminale që kemi pasur”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu