ITALI- Rinis gjyqi ndaj ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Matteo Salvini pasi akuzohet për rrëmbim dhe refuzim për të kryer një akt në detyrë.
Në gusht të vitit 2019, kur ishte ministër i Brendshëm, Salvini bllokoi zbarkimin e 147 emigrantëve nga anija e OJQ-së spanjolle Open Arms në Lampedusa. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, ku shihet teksa hyn në sallën e gjyqit në Uçiardone, Salvini i rikthehet argumentit se mbronte sigurinë dhe kufijtë e vendit të tij.
“I gatshëm të flas në sallën e gjyqit, në gjyqin që më shikon të rrezikoj 15 vjet burg sepse si ministër i Brendshëm kam mbrojtur sigurinë dhe kufijtë e vendit tim. Me kokën lart, krenar për atë që kam bërë,“ tha Salvini, shkruajnë mediat e huaja.
Themeluesi i Organizatës jo qeveritare, Open Arms, Oscar Camps, e vlerësoi si të padenjë qëndrimin e ish ministrit të Brendshëm italian, pasi la në pritje për 19 ditë rreth 150 emigrantë që të merrnin trajtimin e nevojshëm.
Ndërsa në nisje të seancës gjyqësore ai tha se pret që drejtësia të vendoset dhe ai të përgjigjet për pasojat e veprimeve të tij.
Duke folur për gazetarët Salvini theksoi se gjatë kohës së tij si ministër i Brendshëm zbarkimet ranë me 90 për qind dhe se qëllimi i qeverisë ishte të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore. Por kundërshtarët politikë thonë se lideri i Lega-s po mbante një qëndrim të tillë thjesht për të fituar më shumë vota.