Ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu shtrohet në spital, ja cila është arsyeja

0

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Sejdiu është shtruar në spitalin Infektiv dhe sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore për momentin është e qëndrueshme.

Ish-Presidenti 69-vjeçar po trajtohet me terapinë përkatëse për ta luftuar këtë sëmundje.  E infektuar me COVID-19  është edhe gruaja e Sejdiut.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë rezultuan 781 raste pozitive dhe 7 viktima nga koronavirusi. Instituti I Shëndetit Publik njofton se janë shëruar 764 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 69.887 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.808.

Fatmir Sejdiu ka lindur më 23 tetor 1952 në Pakashticë, Podujevë. Ai është profesor, politikan dhe Presidenti i dytë i Republikës së Kosovës.

Për studime të thelluara, Prof. Sejdiu ka qëndruar në Francë (Universiteti Paris 2) dhe në ShBA (Arizona State University), ndërsa ka pasur qëndrime më të shkurtra studimore edhe në universitete të tjera. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike – historike dhe juridike kushtetuese. Është autor librash të veçantë nga këto fusha.

Dr. Fatmir Sejdiu punoi si profesor në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës.

Ai ishte pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989. Në Kuvendin e Parë Zgjedhor në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe më 1992 anëtar i Kryesisë së LDK-së, ndërsa më 1994 Sekretar i Përgjithshëm i LDK së, detyrë të cilën e kryen edhe sot.

Ka qenë anëtar i Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, mbajtur më 1991. Ka qenë ndër njerëzit kryesorë për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Republikës së Kosovës, që janë mbajtur më 1992 dhe 1998.

Fatmir Sejdiu është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 1992 dhe më 1998. Po kështu, më 1998 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese.

Më 2001, në zgjedhjet e para demokratike të pasluftës, është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit është zgjedhur sërish më 2004. Z. Sejdiu ka qenë gjithashtu anëtar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike.

Më 10 shkurt, 2006, pas rethit të tretë të votimeve në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Sejdiu u zgjodh kryetari i dytë i Kosovës.

Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, Dr. Fatmir Sejdiu rizgjidhet më 9 janar 2008 për një mandat të dytë pesëvjeçar.

Ai kështu u bë presidenti i parë i Republikës së Kosovës së pavarur. Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës më 27 shtator 2010.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu