Ish-studentja e “Luarasit” emocionon pedagogët me donacionin e veçantë, pasuron bibliotekën për studentët e drejtësisë

0

Bashkëpunimet midis Universitetit “Luarasi” dhe rrjetit të studenteve Alumni nuk janë një risi, por një traditë tashmë e mirëkonsoliduar prej disa vitesh. Ish-studentja e dalë nga auditorët e universitetit “Luarasi”, Leolida Xhufi, sot në cilësinë e drejtueses së organizatës jofitimprurese “Megalus”, ka dhuruar një fond prej me shumë se 100 titujsh, duke pasuruar bibliotekën e universitetit te saj.

Ky fond librash vjen si një dhuratë e çmuar për studentët e universitetit “Luarasi”, duke u dhënë mundësi të njihen nga afër me literaturën specifike kryesisht në fushën e drejtësisë, por dhe më gjerë. Librat e dhuruar ofrojnë informacion shkencor dhe jo vetëm, duke iu ardhur në ndihmë studentëve, por edhe stafit akademik, te cilët do te kenë me shume mundësi te përzgjedhin literaturën që ju duhet përgjatë studimeve dhe punës së tyre kërkimore.

“Përsëri kthehem në universitetin tim, kësaj radhe jo si studente por duke dhuruar libra, të cilët janë shumë të rëndësishme për çdo student që studion në këtë universitet. Ky dhurim është në kuadër të projektit “Bibliotekat e Megit”, është në fakt biblioteka e 16-të që dhurohet nga organizata jonë. Unë nuk mund të rrija pa ja dhuruar universitetit “Luarasi” që më ka dhuruar kaq shumë dije”, u shpreh për televizionin News24 Leolida Xhufi, drejtuese e organizatës jofitimprurese “Megalus”.

Për dekanen e fakultetit të drejtësisë prof.Rezana Konomi, dhurata e ish studentes së saj për të pasuruar bibliotekën mbart një simbolikë të veçantë por me tepër është një gjest që e mbush me krenari.

“Është vërtetë një kënaqësi që ish studentja jonë, e cila është pjesë e rrjetit Alumni na bën një donacion të tillë me tituj librash që i përkasin fushës së drejtësisë. Pa diskutim që gjesti i saj na bën krenarë kur shikojmë sesi studentët tanë avancojnë në projektet e tyre dhe na i kthejnë pas këtë investim”,-u shpreh prof. Rezana Konomi, dekanë e fakultetit të drejtësisë në universitetin “Luarasi”.

Në fund të takimit universiteti “Luarasi” dhe organizata jofitimprurese “Megalus” shprehën dëshirën për ta vazhduar këtë bashkëpunim në projekte të tjera të përbashkëta në funksion të përfitimit të dijeve nga ana e studentëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu