Policia italiane ka arrestuar një shqiptar i cili gjen në banesë një sasi prej 10 kilogramë kokainë.
Në pranga ka rënë 37-vjeçari Jorlando Lamaj, me banim në Longio. Shqiptari i ndihmuar edhe nga avokati i tij italian preferoi të përfitonte nga e drejta për të mos folur në gjykatë dhe nëse ka diçka ai do të shprehet në një moment të dytë.
Po kush është shqiptari i arrestuar? Raportohet se Lamaj ishte person me dokumente të rregullta në Itali, ishte i vetëpunësuar dhe merrej me tregtimin e automjeteve nëpërmjet internetit.
37-vjeçari u ndalua nga policia gjatë një kontrolli rutinë dhe pasi i verifikoi dokumentet zbuloi se shqiptari kishte me vete në një zarf me 24 mijë euro. Mediat thonë se ato para mund të ishin përfituar edhe nga shitja e makinave, por shqiptari nuk ishte bindës në argumentet e tij. Kjo bëri që policia të zgjeronte kontrollet në banesën ku jetonte 37-vjeçari.
Ata kontrolluan çdo dhomë të banesës derisa arritën të zbulonin kokainën e pastër, e cila ishte e ndara në doza dhe gati për shitje.
Pistat ku po heton policia është ajo e përfshirjes në një organizatë kriminale, ku 37-vjeçari mund të ketë pasur rolin e korrierit, ose thjesht mund të ketë vënë në dispozicion të bandës shtëpinë e tij.