Pasi biznesmeni Rruzhdi Hoxha u gjet i pajetë sot në një humnerë në Dajt, Policia ka zbuluar përmes hetimeve 10 ditë se shtetasi Fred Rrushi dyshohet të jetë autori i krimit.
Kujtojmë se Rrushi u arrestua më 26 tetor të këtij viti pasi ishte i shpallur në kërkim nga ndërkombëtarët për trafik droge.
Sipas raportimeve të mëparshme viktima Ruzhdi Hoxha për herë të fundit ka qenë në një bar kafe në qytetin e Kamzës me dy persona të tjerë, miq të tij, ku njeri prej tyre ishte pikërisht autori i dyshuar.
Fredi Rrushi është person me precedent penal dhe i kërkuar nga Interpol Roma për trafikim të lëndëve narkotike. Fredi Rrushi, 43 vjeç, para hetuesve ka pranuar se ka qenë në një kafe me të dhe mikun tjetër. Pas kafes, ka deklaruar Rrushi, Ruzhdiu i ka kërkuar që ta dërgonte me makinën e tij deri në Fushë Mëzez, për arsye ende të pa qarta.
Sipas tij e ka dërguar atje dhe më pas është larguar. Nga ky moment, ka thënë Rrushi, nuk ka asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur me fatin e biznesmenit. Për të qenë bindës, Rrushi ka përmendur edhe disa emra kontaktesh që ka pasur me persona të tjerë, të cilët sipas tij janë provë se nuk ka asnjë lidhje me ngjarje, por me pas eshte prangosur nga policia.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Në lidhje me zbardhjen e rrëmbimit të 43-vjeçarit Ruzhdi Hoxha dhe gjetjen e tij, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Si rezultat i kërkimeve dhe punës hetimore 10 ditore të bërë nga grupi hetimor në Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë u bë e mundur grumbulllimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarje dhe mesditën e djeshme si rezultat i kërkimeve, shërbimet e policisë bënë të mundur që në zonën e Dajtit të gjenin një xhup ku pas verifikimeve rezultoi se i përkiste shtetasit Ruzhdi Hoxha.
Nisur nga gjithë provat e grumbulluara, paraditen e sotme, Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Nr.4, Forcat Shqiponja, Fnsh dhe Instituti i qenëve të Policisë nën koordinimin e Deparatamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua një operacion kërkimi masiv në të gjithë zonën e Dajtit.
Si rezulat edhe i kontrollit me qentë e gjurmës u bë e mundur që në Qafë-Mollë , mbrapa Dajtit, në një greminë, u gjet i mbuluar me zhavor e gurë trupi i pajetë i shtetasit Ruzhdi Hoxha. Trupi i pajetë do transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.
Ndërkohë, po si rezultat i punës hetimore të kryer nga Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, është bërë e mundur zbardhja e autorësisë së kësaj ngjarje, ku dyshohet se shtetasi Fredi Rrushi , i arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga DVP Tiranë , si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjore të kësaj ngjarje dhe të kryerjes se procedurave ligjore për ndalimin e autorit të kësaj ngjarje.