Kabineti i kryeministrit të ri të M. Veriut: Katër gra ministre, ja sa shqiptarë marrin poste

0

Në Maqedoninë e Veriut, Këshilli Ekzekutiv dhe ai Qendror i Lidhjes Social Demokrate, miratuan të hënën mbrëma propozimin e kryetarit të partisë dhe i mandatuar për formimin e qeverisë, Dimitar Kovaçevski, për kandidatët për ministra nga radhët e kësaj partie.

Në listë ndodhen emrat e disa prej kandidatëve të përfolur më herët në median lokale, ndërsa për disa syresh as shtypi i afërt me socialdemokratët nuk kishte parashikuar se do të bartin poste ministrore.

Nikolla Tupançevski do të jetë kandidat për ministër të Drejtësisë. Ai është profesor universiteti dhe jurist i njohur. Kabineti i zotit Kovaçevski do të ketë katër gra në poste ministrash: Slavica Gërkovska do të marrë postin e Zëvendës-kryeministres e ngarkuar për luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Ajo ka qenë deputete e partisë në një prej mandateve të kaluara.

Drejtorja e deritanishme e Inspektoratit të Punës, Jovana Trençevska, do ta drejtojë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa deputetes aktuale, Bisera Kostadinovska Sojçevska, i besohet Ministria e Kulturës. Zëvendës-ministrja e Rendit, Sllavjanka Petrovska, do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkohë, ministri aktual i Drejtësisë, Bojan Mariçiç, kalon në atë të Integrimeve Evropiane; zëvendës-kryeministri për çështjet e ekonomisë, Fatmir Bytyqi, vazhdon në postin e njëjtë, teksa Lupço Nikollovski kthehet në krye të Ministrisë së Bujqësisë ku kishte qenë para se ta ushtronte postin e Zëvendës-kryeministrit për luftën kundër korrupsionit. Edhe Oliver Spasovski, Bllagoj Boçvarski e Goran Milevski, do të vazhdojnë t’i mbajnë postet e ministrave të Punëve të Brendshme, përkatësisht të Transportit dhe të Pushtetit Lokal.

Kreu socialdemokrat dhe i mandatuar për formimin e kabinetit qeveritar, Dimitar Kovaçevski tha se këta janë njerëz të dëshmuar dhe të miratuar njëzëshëm nga partia.

Ai do ta dorëzojë të martën në parlament propozimin me emrat e kandidatëve për ministra, ndërkohë që kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi pritet ta caktojë seancën për më 15 dhe 16 janar.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka bërë ndryshime të përfaqësuesve të tij në qeveri, përveç se ndërrimit të Ministrisë për Shoqërinë Informatike me atë të Arsimit, të cilën do ta drejtojë Jeton Shaqiri. Artan Grubi mbetet Zëvendës-kryeministër i parë; Bujar Osmani – Ministër i Jashtëm; Fatmir Besimi – i Financave, Kreshnik Bekteshi – i Ekonomisë, Naser Nuredini, Ministër i Ambientit jetësor.

Ndërkohë, partisë Alternativa i lihen ministria e Shëndetësisë, ajo e Shoqërisë Informatike dhe një ministër pa portofol, i cili më pas do të ngarkohet me çështjen e diasporës.

Shumica parlamentare ka 64 vota në parlament, të mjaftueshme për ta miratuar kabinetin e ri qeveritar.

Zoti Kovaçevski theksoi se qeveria e tij do të përqendrohet tek zbutja e krizës energjetike, përballja me pandeminë e koronavirusit dhe lufta kundër korrupsionit, ndërkohë që premtoi rritjen e pagave dhe pensioneve. Sikundër ishte zotuar edhe pararendësi i tij Zoran Zaev, edhe mandatari Kovaçevski tha se paga mesatare mujore do të jetë 500 euro.

Në përbërjen e ardhshme qeveritare rikthehet posti i ministrit pa portofol i angazhuar për diasporën, përskaj tre zv/kryeministrave, të cilët po ashtu zyrtarisht janë ministra pa portfol, poste që ekzistojnë edhe në qeverinë që është në largim. Mandatari për formimin e Qeverisë ka propozuar gjithsej katër ministra pa resor.

I mandatuari për kryeministër për përbërjen e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, sot në mesditë edhe zyrtarisht ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, Propozim- përbërjen dhe Propozim-programin e punës së qeverisë së re.

“Përbërja e qeverisë i ka emrat që i shpallëm dje nga LSDM, BDI, PLD dhe Alternativa. Resorët janë në përputhje me përgjegjësitë e marra në Qeveri dhe në përputhje me Programin e Qeverisë. Programi është vazhdimësi e legjitimitetit zgjedhor të fituar në zgjedhjet e vitit 2020 duke inkorporuar angazhimet ekonomike të partnerit të ri të koalicionit Alternativa, si dhe synimet e reja programore që dolën nga sfidat e reja me të cilat përballet kjo qeveri”, tha Kovaçevski pas dorëzimit të Propozim-përbërjes në Kuvend dhe Propozim- programi për punën e qeverisë së re.

Sipas tij, prioritet kyç dhe i parë i Qeverisë do të jetë ballafaqimi me krizën energjetike në vend e cila është krizë energjetike evropiane dhe që ndihet edhe në RMV.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në deklaratën vjetore, bëri të ditur se nëse propozimi për qeverinë e re paraqitet deri më 11 janar, në konsultim me grupet parlamentare, do të caktojë datën e seancës që me gjasë do të jetë 15-16 janari. Ai shtoi se pret që Qeveria e re të zgjidhet më datë 16, para mesnate dhe e njëjta të jetë funksionale më 17 janar 2022./ Burimi VOA e Alsat

Ministrat pa portofol
– Fatmir Bytyqi – ministër pa portofol – zv/kryeministër për çështje Ekonomike
– Sllavica Gërkovska –pa portofol – zv/kryeministre për Luftën Antikorrupsionit
– Bojan Mariçiq – ministër pa portofol – zv/kryeministër për Eurointegrimin
– Xhemail Çupi – ministër pa portofol – i angazhuar për Diasporën

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu