Kallëzimi i blerjes së votave, PD: Skema kriminale e aleancës Rama-Doshi, SPAK heshti

0

Në një deklaratë nga Selia Blu, Enkelejd Alibeaj bëri të ditur se PD më 16 prill ka kallëzuar në SPAK blerjen e votave në zonën e Pukës nga na e kryeministrit Edi Rama dhe Tom Doshit.

Sipas Alibeajt, për këtë rast SPAK ka heshtur, edhe pse është vënë në dijeni, duke shtuar se nëse do të kishte bërë detyrën, do të kishte zbuluar se pikërisht në këtë zonë, pak orë para zgjedhjeve, policia ka kapur, sipas PD, një furgon të Partisë Socialiste, që shpërndante para dhe është urdhëruar nga eprorët ta lirojë menjëherë”.

Sipas PD, “Benet Beci, kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Tom Doshi, kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe kandidat në këtë qark, Mark Frroku, ish deputet aleat i Ramës, me rekorde kriminale, Gjon Gjoinaj, Kryetar i Bashkisë Pukë dhe disa nëpunës të tjerë dhe persona privatë kanë vepruar si bashku si një grup i struktuar kriminal për blerjen e votës me 100 euro për person në zonën e Pukës.”

DEKLARATA E PLOTË

Zgjedhjet e 25 Prillit nuk ishin të lira, të ndershme dhe demokratike. Në 25 prill ishte finalizimi i ekzekutimit të planit për të qendruar në pushtet përmes blerjes së votave nga aleanca Rama-Doshi.

Partia Demokratike e ka denoncuar këtë plan në organet e drejtësisë përpara zgjedhjeve, por SPAK nuk bëri asgjë për ta ndaluar masakrën e blerjes së votave.

Në 16 prill kemi kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion krimin elektoral të blerjes së votave në zonën e Pukës nga njerëzit e Edi Ramës dhe vetë Tom Doshi.

Benet Beci, kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Tom Doshi, kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe kandidat në këtë qark, Mark Frroku, ish deputet aleat i Ramës, me rekorde kriminale, Gjon Gjoinaj, Kryetar i Bashkisë Pukë dhe disa nëpunës të tjerë dhe persona privatë kanë vepruar si bashku si një grup i struktuar kriminal për blerjen e votës me 100 euro për person në zonën e Pukës.

Ne kemi vënë në dijeni SPAK se në krye të skemës kriminale qendron Benet Beci, i cili ka angazhuar në zonën e Pukës Mark Frrokun dhe gjithë lidhjet e tij kriminale, të përdorura që nga zgjedhjet e vitit 2013.

SPAK nuk bëri asgjë, megjithëse ishte në dijeni se:

Në Gjergjan të Pukës, Mark Frroku ka organizuar familjen Luka për blerjen e votave,

Në Rrapë anëtarë të familjes Lasku,

Në Qerret administratorin e njësisë Martin Përdedaj,

Në Qelëz ka angazhuar për blerjen e votave Administratorin e Njësisë, Florin Kolaj, këshilltarin bashkiak Arben Guga dhe shoferin e kryetarit të Bashkisë Pukë, Sokol Frroku.

Në qytetin e Pukës, ka pasur disa pika shpërndarje të parave për blerjen e votës, kryesisht lidhje familjare të Mark Frrokut apo punonjës në pronat e kryebashkiakut të Pukës, Gjon Gjoni.

Në Fierzë skema kriminale e blerjes së votave është drejtuar nga Benet Beci, në cilësinë e Drejtorit të KESH-it dhe nga Vasil Musliu, Drejtor i Hidrocentralit në Fierzë.

Në Fushë Arrëz, skema kriminale e blerjes së votave dhe e shpërndarjes së parave organizohet nga vetë Tom Doshi.

Për të gjitha këto informacione SPAK është vënë në dijeni dhe ka heshtur. Nëse do të kishte bërë detyrën, do të kishte zbuluar se pikërisht në këtë zonë, pak orë zgjedhjeve, policia ka kapur në flagrancë një furgon të Partisë Socialiste, që shpërndante para dhe është urdhëruar nga eprorët ta lirojë menjëherë.

Të vërtetat e masakrës elektorale të 25 prillit nuk do të shkojnë dëm. Si përfaqësues të shumicës së shqiptarëve që duan një Shqipëri jo peng të krimit, ne kemi për detyrë të çojmë deri në fund betejën e përbashkët për rikthimin e demokracisë dhe rrëzimin e rregjimit Rama-Doshi-Rakipi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu