“Kangën e dimë mirë”/ Zylfie Haklaj i përgjigjet Azgan Haklajt: Vëllai im u vra një ditë pas akuzave të Saliut

0

TIRANË- Zylfie Haklaj i është përgjigjur deklaratës së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azgan Haklaj, i cili tha se ishte Ilir Meta ai që donte vrasjen e Ylli Haklajt. Në një reagim për “Sot”, Zylfie Haklaj shprehet se nuk është Ilir Meta që ka akuzuar Ylli Hakljan, por Sali Berisha.

“Kangën e dimë mirë,”- shprehet Zylfie Haklaj, duke iu përgjigjur Azgan Haklajt.

E po ashtu, Zylfia thotë se për vrasjen e vëllait të saj, duhet të pyetet Shefi i Komisariatit të Tropojës, Ali Gjoni, së bashku me të gjithë të tjerët që kanë qenë në punë ditën e vrasjes.

“Më datën 28 nëntor të vitit 2000, Partia Demokratike Tropojë me urdhër të Sali Berishës kanë djegur, shkatërruar organet juridike në Tropojë duke liruar kriminelë që kanë vrarë njerëz menjëherë pas daljes nga burgu. Në Komisariatin e Tropojës është bërë rezistencë nga policia dhe Sali Berisha ka akuzuar Ylli Haklajn dhe Hamdi Haklajn që mbrojtjen Komisariatin e Tropojës. Më datën 02.12.2000, Gazeta e PD ka shkruar për Ylli dhe Hamdi Haklajn, më datën 03.12.2000 është vrarë Ylli Haklaj.

Kërkesa e familjes tonë është që të pyetet Shefi i Komisariatit të Tropojës, Ali Gjoni së bashku me të gjithë policët që kanë qenë në punë atë ditë ku ka qenë Ylli dhe Hamdi Haklaj në mbrojtje të Komisariatit Bajram Currit më 28 nëntor të vitit 2000. Dhe një pyetje drejtuar Azgan Haklajt, nuk e paskemi ditur që festohet Shpallja e Pavarësisë duke sulmuar organet juridike. Kemi menduar që Pavarësia është akt paqeje dhe lirie e jo pushtimi dhe gjakosje,”- u shpreh Zylfie Haklaj për gazetën “SOT”.

Deklarata e Zylfie Haklaj vjen pas reagimit të ish-deputetit Azgan Haklaj, i cili fajësoi kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën se ishte ai personi që fshihej pas ngjarjeve në Tropojë. Madje e akuzoi se me urdhër të tij ishte bastisur banesa në Tropojë.

“Në 26 shtator të vitit 2000 Ilir Meta ka trazuar tropojanët. I ka dezertuar e gjithë Garda e Republikës. Është hakmarrë poshtërsisht ndaj meje. Pas 28 nëntorit të vitit 2000 që ne po festonim ditën e flamurit, Meta përgjaku Tropojën, ku u vra një person dhe u plagosën disa të rinj. Trupat e urdhëruara nga ai kanë hyrë në shtëpinë time në orën 2 të natës dhe kanë dhunuar edhe vajzën time 4 vjeç. Më kanë marrë nga Tropoja e në Tiranë duke më dhunuar duke më djegur me bishtin e cigares,”-u shpreh ai. Por u përgënjeshtrua pak ditë më pas.

Disa ditë më parë, Aishe Haklaj erdhi në Shqipëri për të dëshmuar lidhur me padinë e bërë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër ish-kryeministrit Sali Berisha. Edhe pse për 12 orë u mor në pyetje Aishe Haklaj, kallëzuesit janë babë e bijë; Muharrem dhe Zylfije Haklaj. Të dy, kanë paditur jo vetëm Berishën, por edhe shumë personazhë të tjerë për vrasjen e 4 djemve të familjes: Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj. Përveç Sali Berishës janë paditur edhe 15 persona të tjerë, që akuzohen si banda e armatosur dhe një organizatë kriminale, të cilët përmenden: Haki Hoxha, Përparim Hyka, Myftar Lumneshi (vëllai i tij është vrarë nga Zylfie Haklaj), Hajredin Haluci, Tahir Sejd Hoxha, Iljaz Hoxha, Ilir Hoxha, Selim Hoxha, Agim Hoxha, Cut Neza, Sadri Neza, Xhafer Hoxha, Medi Hoxha, Guxim Byberi. Në plot 18 faqe, është sqaruar se çfarë pretendohet për secilin prej tyre, duke sjellë në kronologji të gjitha ngjarjet e ndodhur në Tropojë pas viteve ’90 që sollën episode vrasjesh të njëpasnjëshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu