“Kështu e kanë këta të shkretët (amerikanët), vetëm për predikime janë”, deklarata e Ramës ‘habit’ Yuri Kim: Çfarë nuk shkon me ty? Dëgjova diçka të çuditshme

0

Ishte një takim rutinor (marrëveshje mes Universitetit Bujqësor të Tiranës, dhe atij të Michiganit), deri në momentin kur Edi Rama krahasoi ambasadoren amerikane Yuri Kim, me sekretaret e partisë në kohën e diktaturës.

Kim pyeti e cuditur Ramën se ”çfarë nuk shkonte me të”, ndërkohë që salla e mbushur kryesisht me pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, shpërtheu në të qeshura.

Fillimisht Rama i akuzoi amerikanët se janë më të mirë në fjalë sesa në vepra, duke iu referuar këtu strehimit të qyetarëve afganë, që fillimisht u mirëpritën në vendin tonë.

“Unë i kam tmerr njerëzit që nuk janë të dhënë pas punës, më pëlqen që herë pas here rektori më kujton, po kjo, po ajo. Na shërbejnë këto partneritete për të tërhequr sa më shumë studentë. Ne nuk e bëmë atë që bëmë me afganët, që të përfitonim nga ky partneritet, më vjen mirë që studentët afganë kanë gjetur këtu një ambient ku ndihen mirë, do shkojnë përtej oqeanit, ku nuk do të trajtohen kaq mirë sa këtu. Por do të mësohen dhe ata me këtë.

Nuk diskutohet që është kënaqësi që gjithë ata që erdhën, tani janë duke marrë atë që prisnin, kanë mbetur një pjesë e vogël, dhe Kanadaja kanë marrë një pjesë të madhe, SHBA morën jo aq sa premtuan, por një pjesë, se e kanë këtë zakon që premtojnë shumë dhe bëjnë më pak sesa premtojnë.

Standarde dhe vlera pastaj na japin pa pushim, ne i marrin me kënaqësi, po qe puna për predikime i kemi këtu, ditë natë na japin me bujari të madhe se çfarë duhet të bëjmë, te këto gjërat konkrete nuk kanë të shkretët, nuk janë në pozitë që të japin shumë.

Na vjen shumë mirë që sot jemi të gjithë bashkë, edhe me ambasadoren. Më pëlqu shumë kur rektori tha ju garantojmë zonja ambasadore, më kujton kohën e partisë, ku rektori i mëparshëm i thoshte “iu garantojmë sekretari i partisë që populli të jetë krenar për ne”. Faleminderit shumë, këto kisha unë, rroftë miqësia shqiptaro-afgane”, tha Rama,ndërkohë që Kim tha: Çfarë nuk shkon me ty.

“Jam e sigurt që nuk ishte përkthimi i duhur, dëgjova diçka të çuditshme”, tha Kim, ndërkohë që Rama rekomandoi që të pushohej përkthyesi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu