“Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan”/ Vrau 81-vjeçarin, Isuf Hasa ZBARDH DETAJE nga krimi: Më merrte në telefon dhe më thoshte…

0

Isuf Hasa, i akuzuar për vrasjen e 81-vjeçarit Xhemal Meta, ka pranuar krimin gjatë dëshmisë së tij para hetuesve, duke dhënë detaje tronditëse për ngjarjen.

Hasa ka deklaruar se vrasja ndodhi më 13 janar, pasi ai dhe viktima kishin konsumuar një kafe së bashku në banesën e të moshuarit. Sipas autorit, konflikti kishte nisur për shkak të ofendimeve dhe pretendimeve për ngacmime ndaj gruas së tij.

Ai ka pranuar se pas aktit të dhunshëm i ka marrë viktimës një shumë parash, duke shtuar se ishte në dijeni të ekzistencës së tyre pasi i moshuari ia kishte treguar më herët. Më pas, autori është larguar nga vendi i ngjarjes, duke përdorur një makinë për të mbërritur në Tiranë.

Në dëshminë e tij, Hasa ka treguar se e ka fshehur çekiçin, që përdori si armë të krimit, në shtëpinë e së bijës në Vorë.

Grupi hetimor po vijon punën për të siguruar prova të tjera dhe për të përmbyllur hetimet mbi këtë ngjarje të rëndë.

“Më 13 janar shkova në mëngjes në shtëpinë e Xhemalit dhe konsumuam kafe. Pasi mbaruam, do të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë çekiçin dhe e mora e qëllova nga pas. E qëllova pasi kishte shumë kohë që më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja disa netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte që si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar po ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë ku fsheha çekiçin”, ka dëshmuar ai.