Kriptomonedha dhe hajvar/ Perandoria e 2 ish-oficerëve të KGB-së së frikshme ruse

0

Klubi i futbollit Sheriff Tiraspol, është vetëm një pjesë e vogël e një perandorie biznesi të ndërtuar nga dy ish-oficerë të KGB-së dhe që ka mbizotëruar në ekonominë e Transnistrisë së shkëputur.

Mposhtja e Realit të Madridit, 13 herë kampionë i Evropës, nga ana e Sheriff Tiraspol e ka vendosur klubin në hartën e futbollit botëror.

10 fitore të njëpasnjëshme në Evropë kanë bërë që klubi të sigurojë më shumë se 21 milionë euro – një pasuri e madhe për një klub të vogël futbolli, por jo ndonjë ndryshim i madh për dy burrat që qëndrojnë pas tij.

Fitorja e Sheriff në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu ka vënë në qendër të vëmendjes dy ish-oficerët e KGB-së që e ngritën këtë klub futbolli dhe e bënë atë që ai është sot. Por futbolli nuk është interesi i tyre i vetëm.

Në të vërtetë, Viktor Gushan dhe Ylia Kazmalii kanë nisur të dominojnë ekonominë e Transnistrisë – rajoni separatist pro-rus i Moldavisë, pasi kjo e fundit u shkëput nga Kishinau në muajt e luftimeve në 1992 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Sheriff Tiraspol është thjesht pjesa me shkëlqim, e pushtetit të butë e perandorisë së biznesit “Sheriff” me interesa te havjari, makinat, karburanti, ilaçet, vodka, shërbimet hoteliere, telekomunikacioni, bankat, sigurimet, pronat e paluajtshme dhe media.

Sot, kompania “Sheriff” është kontribuesi më i madh privat në buxhetin e Transnistrisë, por ngritja e saj nuk ka qenë pa polemika.

Zgjerim i shpejtë

Transnistria është rreth 400 kilometra e gjatë dhe më pak se 20 kilometra e gjerë. Ajo e konsideron veten një shtet, por nuk njihet jashtë kufijve të saj, madje edhe nga Rusia, e cila ka trupa në territorin e saj.

Transnistria dikur ishte xhevahiri i kurorës së ekonomisë moldave. Që nga lufta, Gushan, 58 vjeç, dhe Kazmaly, 59 vjeç, kanë filluar të kontrollojnë pjesën më të madhe të saj.

E gjitha filloi në qershor 1993, kur Gushan dhe Kazmaly – të cilët mbajnë nënshtetësi moldave, ukrainase dhe ruse – themeluan kompaninë e tyre të parë, “Sheriff”.

Katër vjet më vonë, ata morën nën kontroll Agroprombank, banka më e madhe e rajonit rebel, dhe në 1998 ata themeluan Interdnestrcom, operatori i vetëm i telekomunikacionit në Transnistri dhe i cili filloi me kapital prej 1.6 milion dollarësh.

Në 2002, “Sheriff” mori “Bendet Starch Plant” dhe “Cereal Plant” dhe “The bakery”, të dyja në Tiraspol, në vitin 2005. Më pas erdhi fabrika e tekstilit Tirotex, e ndjekur në vitin 2006 nga Kvint, prodhuesi më i madh i pijeve alkoolike, kryesisht raki dhe verëra. Pastaj partnerët arritën të privatizojnë depon e naftës Tiraspol dhe fabrikën e materialeve të ndërtimit.

Zgjerimi vazhdoi edhe pas krizës financiare botërore, duke e lënë kompaninë “Shefirr” në krye të më shumë se gjysmës së kompanive të regjistruara në Transnistri.

Në mars 2012, kompania u mor plotësisht nga Gushan, me Kazmaly si drejtor.

Akuza për spiunazh

Në fillim të vitit 2000, Interdnestrcom hyri në tregun ukrainas si “Intertelecom”, duke u bërë një nga katër operatorët kryesorë të telekomit.

Një kompani qipriote offshore e quajtur Odinaco Limited mban 49 për qind të aksioneve të Intertelecom, ndërsa pjesa tjetër zotërohet nga një numër investitorësh ukrainas.

Odinaco Limited mburret me katër kompani offshore, në Qipro, Panama dhe Ishujt Virxhin Britanikë, sipas dokumenteve të publikuara nga media investigative moldave, RISE.

Intertelecom u bë i njohur për sjelljen e thirrjeve zanore dhe shërbimeve të internetit në zonat rurale të Ukrainës; në vitin 2014, dy muaj pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës, oligarkët e Transnistrisë e ri-regjistruan Intertelecom si një kompani ruse që operonte në Krimenë “ruse”.

Dokumentet rendisnin pronarin e kompanisë së sapokrijuar si Vyacheslav Chernikevich, një ish-drejtor i Interdnestrcom në Tiraspol dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Gushan, i cili zotëron një rezidencë 650 metra katrorë në Vilkovo, e ashtuquajtura “Venecia ukrainase” pranë deltës së Danubit. Chernikevich gjithashtu merret me marrëveshje kripto-minierash të kompanisë “Sheriff” në Transnistri.

Në vitin 2016, shërbimi sekret ukrainas, SBU, filloi hetimin e Intertelecom të regjistruar në Rusi nën dyshimin e spiunazhit dhe përgjimit të telefonatave ukrainase celular në emër të ushtrisë ruse.

Lidhje gjermane

Kur kripto-minierat filluan në Transnistri, “Sheriff” ishte e përfshirë në mënyrë të pashmangshme.

Transnistria ka përfituar prej vitesh nga një furnizim falas me gaz nga Gazpromi rus, një burim energjie i lirë për t’ia shitur Moldavisë dhe për ta përdorur në shtëpi. Një pjesë e asaj energjie prodhohet nga termocentrali i “Sheriff”, Tirotex-Energo.

Ndryshe nga Moldavia, Tiraspol, nën liderin secesionist Vadim Krasnoselsky, i cili dikur punonte për Gushan në “Sheriff”, legalizoi prodhimin e kriptomonedhës në janar 2018 dhe më 24 të atij muaji një kompani në pronësi ruse, e regjistruar në Ishujt Virxhin Britanikë, e quajtur Goweb International Ltd, nënshkroi një kontratë prej 8.7 milionë dollarësh për t’i ofruar pajisje kripto-minierash një kompanie në Tiraspol të quajtur Tirsteklo, në pronësi të “Sheriff”.

Kompania gjermane Tirastel GmbH, në pronësi të Gushan, Kazmaly dhe një shtetasi gjerman, gjithashtu importoi pajisje kripto-minierash me vlerë miliona dollarë në vitin 2017, të cilat ia dërgoi Tirsteklo dhe Interdnestrcom.

Kur vjen puna te mediat, gazetarët në Qendrën për Gazetarët Investigativë në Moldavi e kanë përmendur Gushan dhe shtetasin gjerman Andreas Reich si pronarë të Kartina Digital GmbH, e themeluar në Ëiesbaden, Gjermani, në vitin 2008, dhe e cila transmetonte rreth 160 kanale ruse përmes teknologjisë IPTV si dhe TSV Transnistriane, në pronësi të “Sheriff”.

Megjithatë, kompania u akuzua gjithashtu nga mediat gjermane për ndërmjetësimin e transmetimit të mesazheve ekstremiste nga Alternativa për Gjermaninë, AfD, përmes ritransmetimit të kanaleve ruse.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu